2017-07-05 18:18:00

Unesco: Shpella e Makpelës, varri i Abrahamit e misteri i varrit të Patriarkëve


 U hap më 2 korrik e përfundon nesër, në Krakovi, sesioni vjetor i Komitetit për njohjen e Pasurive të Njerëzimit të UNESCO-s. Në këto pasuri bëjnë pjesë më se një mijë vende me bukuri të rralla natyrore ose pasuri kulturore, të 165 vendeve të botës. Ndërmjet tyre, varri i Abrahamit. Autoritetet palestineze kërkuan të shkruhet ndërmjet pasurive në rrezik të Shtetit të Palestinës, qendra historike e Hebronit, në Cisjordani, ku ndodhet Varri i Abrahamit dhe i Patriarkëve.

Pas sherreve pa fund mbi Tempullin e Jeruzalemit, duket se po nis një diskutim tjetër, lidhur me “pronësinë” historike e kulturore të viseve e simboleve fetare. Varri i Patriarkëve, në Hebron, Shpella e Makpelës, sipas traditës hebraike, lidhet me të trija fetë monoteiste, sepse i atribuohen  Patriarkëve: Abrahamit, Isaku e Jakobit si dhe matriakave Sara, Rebeka e Lea. Pranë këtij vendi ndodhet edhe varri, ku besohet se u varros Patriarku Jozef, ndërsa siti, në tërësinë e tij, ndodhet ndërmjet një xhamie e një sinagoge.

Ambasadori i Izraelit në UNESCO, Carmel Shama HaCohen e konsideron  përfshirjen e sitit në listën e UNESCO-s, front të ri në luftën për viset e shenjta, që po përpiqen të ndezin palestinezët kundër Izraelit dhe popullit hebraik, për të shlyer historinë hebraike, duke i shndërruar vendet më shenjte të judaizmit, si Murin perëndimor, Varrin e Rakelies dhe Varret e Patriarkëve, në vise myslimane.

Po ç’thotë historia?

Historia tregon se jemi para një kompleksi tejet të lashtë - muret e jashtme mbahen ende në këmbë, që nga koha e Herodit. Shpella e Makpelës, e njohur edhe me emrin Shpella e Patriarkëve, bën pjesë në një kompleks shpellash të nëndheshme në Hebron, të Cisjordanisë, 30 kilometra në jug-perëndim të Jeruzalemit.

Eshtë e famshme në gjithë botën, kjo shpellë, ku sipas traditës, u varrosën tre Partriarkët e Izraelit; Abrahami, Isaku e Jakobi si dhe gratë e tyre, përkatësisht Sara, Rebeka e Lia,

Vend shtegtimesh për hebrenjtë, kristianët e myslimanët, ndërtesa e madhe, ku ruhen  Varret e Patriarkëve, përfshin edhe një sinagogë e një xhami,  që quhen “Sinagoga e Abrahamit” dhe “Xhamia e Abrahamit”.

Sipas Biblës, Abrahami kishte nevojë për një vend, ku të varroste Sarën. Bleu, për këtë, shpellën, duke paguar 400 sikla argjendi. Shpella u bë vendvarrosja e familjes, që kur Jakobi, në sa po jepte shpirt, e bëri të birin, Jozefin, t’i betohej  se do ta varroste pranë të parëve. Jozefi, që asokohe ishte në Egjipt, e balsamosi e kështu e mbajti premtimin që i kishte bërë atit. E solli dhe e varrosi aty ku deshi.

Shpella u studiua së pari nga kanonikët e shën Agostinit, në vitin 1119, pasuar nga një  hulumtim klandestin izraelit, në fillim të viteve 1970. Çka dimë për të, është se një korridor i ngushtë të çon tek një dhomë e rrumbullakët, që hapet mbi një shpellë të zgavruar në shkëmb. Nuk mund të dihet  më shumë, sepse hyrja është e ndaluar rreptësisht prej shekujsh.

Më 1260 Sulltani Baibars e pushtoi vendin, në krye të mamelukëve të tij dhe filloi ndërtimin e minareve, prej nga muezinët nisën t’i thërrisnin pesë herë në ditë besimtarët për lutjen drejtuar Allahut. Kësaj epoke i përkasin xhamitë rreth këtij vendi. Gjashtë vjet më pas, ndërsa ishte këtu për haxhillëk, Baibars ua ndaloi si të krishterëve, ashtu edhe hebrenjve, hyrjen në shenjtërore. Këtë tregon historia, që e quan vendin herë me një emër, herë me një tjetër.

Emri varet nga këndvështrimi i atij, që e viziton: një palë e quan Varri i Patriarkëve, pala  tjetër, xhamia e Khalilit. E brendia e  tij tregon edhe më qartë shenja të epokës së kryqëzatave, kur qe kthyer në Kishë, besuar  kanonikëve agostinianë.

Tashti pritet vendimi i Unescos…. E ndoshta edhe zbulimi i misterit të Shpellës së Makpelës…

Ndërsa dihet mirë se diskutimet nuk ndizen aq për varrin, sa për Hebronin, që ndodhet në zemër të Cisjordanisë: një nga vendet që ka ngjallur më shumë ndeshje ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. E që ua prish vazhdimisht pushimin në paqe Patriarkëve e grave të tyre…








All the contents on this site are copyrighted ©.