2017-07-05 14:14:00

Papa Françesku: 28 katekizma “për të ecur në udhën e shpresës”.


Ia kushtoi shpresës, Papa Françesku, 28 audiencat e përgjithshme të gjashtë muajve të fundit, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, i cili edhe sot,   pavarësisht nga dielli përvëlues, ishte plot me shtegtarë, ndonëse pa audiencën aq të dëshiruar me Papën.

Prandaj po rikthehemi në Shesh, edhe ai me pushime verore, për të rikujtuar çastet më domethënëse të katekizmave të kaluara, në pritje të rifillimit…

Papa Françesku, pra, ia kushtoi shpresës të 28 katekizmat e gjashtë muajve të fundit, të ndërprera për pauzën verore të korrikut.

Shpresa e krishterë, në katekizmat e Papës, është spirancë, përkrenare, velë. Ka fytyrën e Rebekës, të Juditës, të Madalenës dhe të të gjitha grave e nënave guximtare, me të cilat njihemi sa në faqet e Biblës, aq edhe të jetës sonë të përditshme. Shpresa na mëson të shkojmë udhës, si dy dishepujt e Emmaus, për të zbuluar, me mahnitje, se është gjithnjë Dikush, që ecën përkrah nesh, në çdo kthesë të jetës. E që na porosit të hedhim kudo farën e shpresës, posaçërisht ndërmjet nevojtarëve, të varfërve, të fundmëve, të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë. Duke na lënë edhe pikëtakimin: nga Sheshi i Shën Pjetrit, në një “shesh” tjetër, në Qiell.

Virtytet e të vegjëlve

Në audiencën e parë kushtuar shpresës (më 7 dhjetor), Papa shpjegoi sa e nevojshme është për ne të gjithë, duke e krahasuar me një fëmijë që, kur e shikojmë, na bën menjëherë të vëmë buzën në gaz. Shpresë do të thotë të vijosh të besosh, gjithnjë, pa marrë parasysh asgjë:

“Jeta shpesh herë është shkretëtirë, e ecja nëpër të bëhet gjithnjë më e vështirë, por nëse e lëshojmë në dorë të Zotit, mund të sheshohet e të bëhet e bukur, si autostradë”.

Shpresë do të thotë të dish se e keqja nuk do të ngadhënjejë përgjithmonë, se ka një fund edhe për dhimbjen (14 dhjetor 2016).

Shpresa është grua - kjo, një nga shprehjet, që i pëlqen ta përsërisë më shpesh Françeskut. E gruaja-shpresë, që kujton së pari, është Rakelia, e cila e jeton shpresën mes lotëve, që nuk duan të ngushëllohen, për shkak të një vdekjeje të papranueshme. Ka shumë, edhe sot, nëna si Rakelia! Na mësojnë se në jetë edhe lotët mund të mbjellin shpresë!

Gratë janë më guximtare se burrat - tha, duke folur lirisht, Papa në audiencën e 25 janarit - në sa kujtonte, këtë herë, Juditën, gruan guximtare në fjalë e në vepra. Kreshniken, që i flet popullit me gjuhën e fesë, gjuhë e shpresës. Shpresa është grua shtatzënë, që pret ditë për ditë çastin kur do të shikojë dritën e syve, foshnjën - ky, afresku i pikturuar nga Papa në audiencën e 1 shkurtit. Shpresë do të thotë ta japësh jetën, jo ta rrëmbesh – pohoi Françesku më 12 prill: kur nënat nxjerrin foshnjën e tyre në dritë, lindin mes dhembjeve të mëdha, por më pas i harrojnë shpejt e dhembjes ia zë vendin gëzimi i ardhjes së një krijese të re në këtë botë. Këngës së dhembjes, ia zë vendin kënga e djepit, ninulla e jetës.

Takohemi, pastaj, në katekizmin e Papës, me Madalenën, gruan kokëfortë; është ajo – rrëfen Françesku - që arrin e para te varri. E aty jeton çastin më të pabesueshëm të jetës njerëzore, nga i cili lind shpresa e krishterë:

“Jeta e krishterë nuk thuret me lumturi delikate. Jeta e krishterë është det me valë, që përmbys ç’të gjejë përpara – na kujton Papa - E  revolucioni, që ia shndërron jetën gruas, e cila e pa e para të Ngjallurin prej së vdekurish, ashtu si na e shndërron edhe ne, jehon në kopshtin e varrit të zbrazur, në zërin e tij të gjallë, që e thërret: “Mari!”.

Zoti nuk të zhgënjen, idhujt po

Zoti nuk të zhgënjen kurrë. Idhujt, gjithnjë…sepse janë shpresa të rreme – këto, fjalët e Papës, për t’u mbajtur mend, shqiptuar më 11 janarin e kaluar. E dinte mirë këtë Jona, profeti në dalje, i ftuar nga Zoti të shkojë në Ninive, për t’i kthyer banorët në udhën e drejtë.

Shpresa merr frymë edhe me kraharorin e bashkësisë (8 shkurt), që nuk krijon mure, por ura, duke mbartur secili ligështitë e tjetrit. “Nuk e di ç’do të thotë shpresë, kush mbyllet në mirëqenien e vet! Vetëm po ta kuptojmë se gjithçka është dhuratë, mund të jetojmë në paqe (15 shkurt). Sepse në Kishë nuk ka njerëz të serisë A e të asaj B,  që do të thotë, ‘i forti kundër të ligshtit’”(22 mars).

Do të kthehemi në marsin e vitit të kaluar - të mërkurën e ardhshme - ndërsa jetojmë me shpresat e verës së re, për të vijuar kujtimin e katekizmave të Papës gjatë vitit 2017, kushtuar shpresës së krishterë. Në vend të katekizmit të munguar për shkak të pushimeve verore. E për ta lidhur fillin me atë të katekizmave që do të rifillojnë në muajin gusht, në Sallën Pali VI, për të vijuar, me Papën, ecjen në udhën e shpresës së krishterë!








All the contents on this site are copyrighted ©.