2017-07-05 11:26:00

Bambino Gesù: spitali anglez nuk transferon Charlie Gard, për arsye ligjore


“Spitali na tha se, për arsye ligjore, nuk mund ta transferojë Charlie Gard tek ne. Ky është lajm tjetër i trishtuar”: kështu deklaroi kryetarja e spitalit pediatrik “Bambino Gesù”, Mariella Enoc, dje pasdite, në Vatikan. Spitali u tregua i gatshëm ta shtrojë në repartet e veta foshnjën 10-muajshe angleze, prekur nga një sëmundje e rrallë gjenetike, që mjekët e Great Ormond Street Hospital të Londrës e konsiderojnë të pakurueshme, duke kërkuar edhe shkëputjen e tij nga të gjitha aparatet, që e mbajnë në jetë.

Zonja Enoc shpjegoi se është kontaktuar nga e ëma e fëmijës, e cila i ka kërkuar të verifikojë mundësinë që kura të realizohet. “Nuk e di nëse është e mundur të gjendet një terapi - theksoi kryetarja e spitalit - por shkencëtarët tanë po mundohen e do të flasin drejtpërdrejt me familjen”. Në këtë rast, sqaroi ajo, është e vështirë të thuhet nëse terapia është këmbëngulje e kotë apo jo. E vetmja gjë që mund të bëjë një nga spitalet pediatrike më në zë në botë, si Bambino Gesù, është shoqërimi i familjes, ashtu siç kërkon Papa Françesku.

Prononcohet edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili thekson se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të kapërcyer pengesat ligjore, ndërsa spitalit “Bambino Gesù” i përket ana mjekësore e problemit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.