2017-07-05 11:52:00

Ambienti: kard. Turkson, po harrojmë se oqeanet janë pasuri e njerëzimit


“Po harrojmë se oqeanet janë pasuri e njerëzimit”. Kushtrimin e lëshon  kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson, prefekt i Dikasterit papnor për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, duke folur në kuvëndimin “Oceans. Caring for a comon heritage”(Oqeanet. Kujdes për këtë pasuri të përbashkët), organizuar në Romë nga Dikasteri në bashkëpunim me Ambasadën e Francës, të Monakos dhe Vendeve të Ulëta pranë Selisë së Shenjtë. “Zona e thellësive detare dhe nëntoka e oqeaneve, pavarësisht  nga jurisdiksionet kombëtare, janë pasuri e përbashkët e njerëzimit. Këtë kujtoi kardinali Turkson, duke cituar Rezolutën 2749 të OKB-së.

“Selia e Shenjtë - vijoi - vëren se njerëzimi po largohet gradualisht nga ky arsyetim. Po e harrojmë domethënien e tij. Nocioni i pasurisë së përbashkët, ndërkaq, duhet të përdorej, për t’u zbatuar në rregulloret ndërkombëtare të ardhmërisë e duhet të nisej pikërisht nga mbrojtja e deteve. Largimi nga nocioni i deteve, parë si pasuri e përbashkët e njerëzimit - tezë e kardinalit Turkson kjo - dëshmon se kuptimi i përgjegjësisë lidhur me detet dhe burimet e tyre për familjen njerëzore, po humbet gjithnjë e më shumë.

“Ne jemi autorët e pasurisë sonë: e morëm nga e kaluara, për t’ua lënë trashëgim njerëzve, që do të jetojnë në të ardhmen” - nënvizoi kardinali Turkson - fjala e të cilit ishte në përkim të plotë me Enciklikën e Papës Françesku “Laudato si’”(Lëvduar qofsh) dhe me ndjesinë e solidaritetit ndërmjet breznive. Kur humbet kuptimi i mirënjohjes për këtë dhuratë, që duhet ta lëmë trashëgim, ashtu si e morëm - vijoi - nis shfrytëzimi i paqëndrueshëm i pasurive të natyrës.

Deti, veç tjerash - theksoi në përfundim - ndan e bashkon, duke garantuar lidhjet ndërmjet  kontinenteve dhe njerëzve. Mbulon pjesën më të madhe të tokës, por pa e humbur kurrë aftësinë për ta bashkuar njerëzimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.