2017-07-04 10:13:00

I kushtohet 500-vjetorit të Reformës, mbledhja vjetore hebraiko-kristiane


Filloi dje në Bonn, mbledhja vjetore e Këshillit ndërkombëtar të të krishterëve dhe hebrenjve, kushtuar temës “Martin Luteri dhe 500 vjet traditë e reformë në hebraizëm e krishterim”.

Kard. Marx: feja, mirënjohëse ndaj “pionierëve të pajtimit”

Fetë u janë mirënjohëse “pionierëve të pajtimit”, nënvizoi kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane, kard. Reinhard Marx, në hapjen e punimeve. “Mirënjohje për guximin në fillimin e një dialogu, të ardhmen e të cilit askush nuk mund ta parashikonte – pohoi kardinali. Falenderim edhe për durimin me të cilin përballuan skepticizmin dhe kritikat. Guximi dhe durimi i tyre sollën fryte të pasura”. Ndër to, kardinali përmendi pasurimin e teologjisë, të katekizmit dhe të predikimit, si pasojë e dialogut me hebrenjtë, prej të cilit rrodhi edhe një kuptim më i thellë i vetë fesë së krishterë. E jo më pak, edhe bashkëjetesa e përzemërt ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve.

Takimi përfundon më 5 korrik

Duke iu referuar temës së takimit, kardinali Marx e lavdëroi Kishën Ungjillore gjermane, e cila, haptasi e në mënyrë kritike, shqyrtoi çështjen e antijudaizmit të Martin Luterit, duke u distancuar nga qëndrimet e tij. “Kjo na inkurajon të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë, me durim e këmbëngulje”. Punimet e Këshillit ndërkombëtar të të krishterëve dhe hebrenjve – platformë e 40 organizatave kombëtare për dialogun hebraiko-kristian – përfundojnë nesër, më 5 korrik.








All the contents on this site are copyrighted ©.