2017-07-03 12:13:00

Papa Françesku: zhdukja e urisë, objektiv i largët; mungon solidariteti


“Jemi të vetëdijshëm se nuk mjafton ndjeti i mirë për t’u siguruar të gjithëve bukën e përditshme, por duhet të pranojmë se të gjithë kanë të drejtë për këtë, prandaj duhet ta kenë”. Në një mesazh për Konferencën e 40-të të përgjithshme të Organizatës Botërore të Ushqimit e Bujqësisë (FAO), që u lexua sot nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa Françesku vëren me keqardhje, se objektivat për zhdukjen e urisë nuk janë plotësuar akoma. Sipas Atit të Shenjtë, kjo “varet shumë nga mungesa e kulturës së solidaritetit, që nuk arrin t’i hapë rrugë vetes në veprimtaritë ndërkombëtare, të cilat mbeten shpesh të lidhura vetëm me pragmatizmin e statistikave, ose me dëshirën për një efikasitet, ku nuk përfshihet ideja e bashkëndarjes”.

“Selia e Shenjtë – lexohet më tej në mesazh – ndjek me vëmendje të madhe veprimtarinë ndërkombëtare e dëshiron të ndikojë për ta orientuar që të favorizohet jo progresi i thjeshtë, ose objektiva teorike për zhvillim, por zhdukja e vërtetë e urisë dhe e kequshqyerjes”.

Papa kontribuon në programin e FAO-s për sigurimin e farave

“I nxitur edhe nga dëshira për t’i inkurajuar qeveritë – shpjegon më tej Ati i Shenjtë – dua të bashkohem me një kontribut në programin e FAO-s për furnizimin me fara të familjeve fshatare, që jetojnë në zona, ku janë bërë bashkë pasojat e konflikteve me ato të thatësirës”. Ky gjest i shtohet punës së Kishës Katolike, e cila, për thirrje shenjte, u qëndron pranë të varfërve të tokës dhe shoqëron impenjimin konkret të të gjithëve në favor të tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.