2017-07-03 18:21:00

Katar. Imzot Ballin: kriza ndërmjet Dohës e Riadit i vë në ikje katolikët


Ndeshja, në vijim, ndërmjet Katarit dhe Vendeve të rajonit të Gjirit, të udhëhequra nga Arabia Saudite, fillon të ndikojë edhe mbi bashkësinë e vogël katolike. Që tani mund të flitet për krizë në këndvështrimin shoqëror, me pasoja mbi jetën e shumë njerëzve, që po humbasin vendet e punës. Mund të flitet, prandaj, për krijimin e një situate të paqartë për ardhmërinë. Njoftimin e jep, përmes agjencisë AziaNews, imzot Camillo Ballin, mëkëmbës apostolik i Arabisë Veriore (Kuvait, Arabi Saudite, Katar e Bahrein).

Shumë familje të krishtera marrin rrugën e mërgimit  

Tani për tani - pohon prelati - nuk kemi ende të dhëna të sakta për numrin  e të krishterëve të larguar nga vendi. Gjithsesi është e qartë se disa familje tashmë janë nisur e, prej rreth 300 mijë besimtarëve të periudhës së parakrizës, mund të mbeten gjithnjë më pak. Druhemi - vijon prelati - se do të ketë edhe masa të tjera ndëshkimore, ose se vendet, të cilat i kanë ngrirë fondet, mund të vendosin t’i tërheqin paratë nga depozitat bankare, gjë që do të ishte një tragjedi e vërtetë për Katarin. E, të parët që do ta pësonin, do të ishin përsëri më të varfrit.

Pasoja është varfërimi i bashkësisë së krishterë vendase

Ata që nisen - shton imzot Ballin - nuk ikin me ndjetin e rikthimit në të ardhmen, të paktën në të ardhmen e afërt. Ne bëjmë çmos t’i ndihmojmë ata, që të mbeten, ndonëse nuk është aspak e lehtë, sepse nevojat janë shumë e klima e paqartësisë nuk na ndihmon. Pastaj kuptohet se Kisha nuk mund të marrë mbi vete mbajtjen e mijëra familjeve e, nëse nuk ka punë rruga e vetme është ikja. Kjo e çon drejt varfërimit bashkësinë e krishterë lokale - vëren imzot Ballin - gjë që ngjall shumë shqetësim. Prandaj ju kërkoj të luteni për ne e për priftërinjtë, që punojnë çdo ditë në lidhje të ngushtë me bashkësitë e tyre.

Bashkësi e përbërë në pjesën më të madhe prej emigrantësh

Katolikët në Katar, më se 300 mijë vetë, u përkasin katër riteve: latin, maronit, asiro-malabarez e asiro-malankarez, në gjirin e një popullsie prej rreth 2,6 milionë banorësh (të dhënat janë të vitit 2017), edhe pse numri ndryshon sipas stinës dhe mundësive për të gjetur punë. Vetëm rreth 313 mijë janë qytetarë të Katarit, ndërsa të tjerët, punëtorë emigrantë (pothuajse 2,3 milionë). Shumica e popullsisë nuk është arabe e bashkësia më e madhe vjen nga India (650 mijë), pasuar nga nepalezët (350.000), bangladeshët(280.000), filipinët(200.000), egjiptianët (145.000), emigrantë nga Sri Lanka (145mijë) dhe pakistanezë (125 mijë).








All the contents on this site are copyrighted ©.