Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Dokumente

Hap i ri ekumenik për Doktrinën e Shfajsimit

Papa përqafon kryetarin e Federatës Luterane Botërore, ipeshkvin Munib Younan - ANSA

03/07/2017 13:43

Të mërkurën e ardhshme, më 5 korrik 2017, në Wittenberg të Gjermanisë, qytet ku lindi Reforma në vitin 1517, kur Luteri paraqiti 95 tezat e tij kundër indulgjencave, Bashkimi Botëror i Kishave të Reformuara do të japë miratimin ekumenik, arritur prej kohe ndërmjet katolikëve, luteranëve  dhe metodistëve, mbi doktrinën e shfajsimit.

Doktrina e shfajsimit për hir e përmes fesë, është në qendër të Ungjillit. Marrëveshja mbi interpretimin dhe mënyrën si vepron realisht shëlbimi i sjellë nga Krishtit mbi mëkatarin, ka rëndësi themelore për progresin ekumenik. Kishat e Reformuara do të pohojnë tani se miratimi mbi të vërtetat themelore të doktrinës së shfajsimit, është në përkim të plotë me doktrinën e reformuar. Prandaj mund të themi se me këtë mirëkuptim, zgjidhet një nga problemet  me rëndësi të dorës së parë, që pati shkaktuar mosmarrëveshje ndërmjet reformatorëve dhe autoriteteve të Kishës katolike në shekullin XVI.  E kjo krijon kushtet për të ecur përpara drejt bashkimit më të plotë shpirtëror dhe kishtar të protestantëve me katolikët.

Gjatë një liturgjie ekumenike, krerët e Bashkimit Botëror të Kishave të Reformuara do ta miratojnë zyrtarisht Deklaratën e Përbashkët mbi Doktrinën e Shfajsimit, në praninë e delegatëve të Kishës luterane, metodiste e katolike. Këshilli Papnor për nxitjen bashkimit të të krishterëve do të përfaqësohet nga Sekretari, Imzot Brian Farell dhe nga i nderuari Avelino Gonzalez, punonjës i Seksionit Perëndimor të Dikasterit, Kjo ngjarje e madhe do të jetë një gur tjetër kilometritk në udhën drejt bashkimit të dukshëm të të krishterëve: nuk është akoma caku ekumenik, ku dëshirojnë të arrijnë të gjitha palët, por mund të quhet, pa dyshim, një fazë domethënëse në udhën e përbashkët.

Lidhur me miratimin ekumenik të kësaj doktrine themelore, Kishat e Reformuara nënvizojnë posaçërisht rëndësinë e lidhjes ndërmjet shfajsimit  dhe angazhimit në favor të drejtësisë në botë. Hiri kërkon të kryhen vepra të mira në ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit, mbretëri e drejtësisë, e paqes, e pajtimit. Shfajsimi të nxit të jesh përkrah viktimave të shypjes e të shfrytëzimit, në kundërshtim të plotë me sistemet e padrejtësisë e të përdhunës shoqërore dhe ekonomike.

Duke e kuptuar sa i përbashkët është ky urdhërim i krishterë, katolikët, luteranët, metodistët e reformatët mund të gjejnë rrugët më të përshtatshme të bashkëpunimit, në shërbim të njerëzimit. Në këtë kuptim, përparimi ekumenik në dialog nuk është thjesht përpjekje akademike e specialistëve të sektorit, por ka ndikim pozitiv e konkret mbi mënyrën sesi të krishterët e konfesioneve të ndryshme jetojnë e punojnë së bashku, me frymë solidare, duke e dëshmuar bashkërisht Ungjillin në shoqëri.

03/07/2017 13:43