2017-07-02 13:41:00

Thirrja e Papës për Venezuelën: të marrë fund dhuna. Afërsi me familjet


“Bëj thirrje t’i jepet fund dhunës e të gjindet rrugëzgjidhja paqësore  dhe demokratike e krizës. Zoja e Koromotos ndërmjetësoftë për Venezuelën”. Këto, fjalët e Papës Françesku, në përfundim të Engjëllit të Tënzot. Duke kujtuar 5 korrikun e ardhshëm, festë e pavarësisë së Venezuelës, Papa siguroi se lutet për ardhmërinë e vendit. Pastaj e ftoi turmën e besimtarëve, mbledhur rreth tij në Sheshin e Shën Pjetrit, në një FalemiMari të përbashkët për mbrojtjen e fateve të popullit venezuelan. E Sheshi ushtoi nga lutja e dalë nga zemra e besimtarëve sipas ndjetit të Papës, i cili e quajti vendin e gjakosur latinoamerikan “komb i dashur”. Françesku u shprehu afërsinë e tij edhe familjeve, që humbën bijtë gjatë manifestimeve në sheshe.

Ndeshjet vijojnë

Po ndeshjet vijojnë që prej tre muajsh, e vijojnë edhe viktimat. Posaçërisht pas shtypjes qeveritare të manifestuesve, të cilët protestojnë kundër presidentit Maduro, i akuzuar si njeri i korruptuar, shpërdorues i pushtetit, por edhe si shkaktar i krizës së rëndë ekonomike, që e ka mbërthyer prej kohe vendin. Orët e fundit autoritetet venezuelane njoftuan se së paku katër vetë vdiqën gjatë ndeshjeve, të cilat, me sa duket, nuk e kanë ndër mend të pushojnë.

Tre muaj konflikti

Në tre muajt e fundit, viktimat kanë qenë të paktën 80, por ka edhe nga ata, që numrojnë më se 90 vetë të vrarë gjatë protestave në sheshe. Konferenca ipeshkvnore venezuelane i kërkoi qeverisë “ta rishikojë  situatën” e të mos instalojë një “sistem totalitarist-militarist-marksist”, të cilin populli nuk e do e nuk mund ta durojë. Prelatët i kërkojnë qeverisë së Karakasit edhe “të heqë dorë nga përdorimi i mjeteve të ligjshme, për të shkatërruar Shtetin”. Për kardinalin Jorge Urosa Savino, kryeipeshkëv i Karakasit, i cili kërkon me ngulm t’i jepet fund çdo lloj dhune, “mund të thuhet se qeveria po lufton kundër popullit të vet”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.