2017-07-01 00:00:00

Selia e Shenjtë: shkolla të nxisë dialogun e të mbrojë të drejtën e familjeve për të edukuar


 Institucionet edukative të nxisin përdorimin e “gramatikës së dialogut”, bazë për takimin dhe mjet për harmonizimin e larmisë kulturore në kërkim të së vërtetës dhe të gjejnë përgjigje për sfidat e kohës sonë. Kjo, zemra e fjalimit, mbajtur këto ditë në OKB-në e Nju Jorkut, nga Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, imzot Bernardito Auza. Prelati nënvizoi me forcë nevojën, kujtuar shumë shpesh nga Papa, për forcimin e së drejtës të familjeve për edukimin e fëmijëve të tyre.

Të respektohet e drejta e familjes në edukimin e fëmijëve për të fuqizuar të drejtën e shkollimit

“E drejta për arsimim sigurohet para së gjithash duke respektuar e duke fuqizuar të drejtën parësore të familjeve për t’i edukuar fëmijët”. Kryeipeshkvi Auza citoi fjalët e Françeskut shqiptuar para OKB-së, më 2015, duke shpjeguar se kujdesi dhe asistenca  e familjeve  në edukimin e fëmijëve është në bazë të vënies në jetë të Agjendës 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm.

Angazhimi shekullor i Kishës për shkollat me dyer të hapura për të gjithë

Kryeipeshkvi kujtoi përvojën shekullore të Kishës katolike në fushën e arsimit: të panumërta shkollat e themeluara në mbarë botën, hapur për djemtë e vajzat e, sidomos, për të varfërit, që nuk do të kishin pasur mundësi tjetër për shkollim. Në këtë mënyrë - shpjegoi imzot Auza - Kisha përpiqet të japë ndihmesën e vet për një botë më të bashkuar e më paqësore, përmes formimit të gjithanshëm të breznive të ardhshme.  








All the contents on this site are copyrighted ©.