2017-07-01 15:28:00

Papa emëron imzotin Ladaria prefekt të Doktrinës së Fesë; pason kard. Müller


Papa Françesku e falënderoi kardinalin Gerhard Ludwig Müller në përfundim të mandatit të tij pesëvjeçar si prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë dhe President i Komisionit Papnor “Ecclesia Dei”, i Komisionit Biblik dhe i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, dhe thirri, për kryerjen e të njëjtave detyra, imzotin Luis Francisco Ladaria Ferrer, kryeipeshkëv titullar i Tibikës, deri tani sekretar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.

Jezuiti spanjoll, imzot Luis Francisco Ladaria Ferrer, 73 vjeç, u diplomua më 1966 në drejtësi, në Universitetin e Madridit e, njëkohësisht, hyri në Shoqërinë e Jezuitëve. Kreu edhe studimet e Filozofisë dhe të Teologjisë në Universitetin Papnor Comillas të Madridit dhe pranë Philosophisch-theologische Hochschule Sankt Georgen (në Frankfurt). Si u shugurua meshtar më 1973, mori titullin Doktor në teologji, pranë Universitetit Papnor Gregorian, duke u bërë, më pas, pedagog i teologjisë dogmatike pranë Universitetit Papnor Comillas, e, në vijim, profesor titullar i katedrës së Teologjisë dogmatike, në Universitetin Papnor Gregorian, ku kreu edhe detyrën e zëvendës-rektorit. Nga vitet 1992 deri më 1977, ishte anëtar i Komisionit teologjik ndërkombëtar e, nga viti 2014, sekretar i përgjithshëm. Në vitin 1995 Gjon Pali II e emëroi këshilltar të Kongregatës për Doktrinën e Fesë e, më 2008, Benedikti XVI, sekretar të së njëjtës Kongregatë. Më 2 gusht të vitit të kaluar, Papa Françesku e emëroi kryetar të Komisionit të studimit për Diakonatin e grave. Me këtë rast, duke folur nga mikrofonet e Radio Vatikanit, imzot Ladaria  pati nënvizuar se Papa dëshiron që roli i grave në mjediset kishtare të  vlerësohet  gjithnjë më shumë. Kisha - pati shtuar - “duhet të gjejë mënyra për t’u bërë gjithnjë më e pranishme e, në këtë drejtim, prania e grave mund të jetë vendimtare”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.