2017-06-30 12:22:00

Festa e Protomartirëve Romakë: kard. Ravasi kremton solemnitetin në Kopshtet e Vatikanit


Sot, përkujtimi tradicional i Protomartirëve Romakë në Kopshtet e Vatikanit, kryesuar nga kryetari i Këshillit Papnor të Kulturës, kardinali Gianfranco Ravasi. Organizuar çdo vit nga Akademia Papnore “Cultorum Martyrum”, përkujtimi i sivjetëm filloi me meshën, në orën 18.00, në kishën e Shën Marisë, në Varrezat e Vatikanit. Më pas, procesioni me të Shenjtnueshmin Sakrament, përgjatë Kopshteve të Vatikanit, duke ndjekur rrugët e rrethit të lashtë neronian, lagur nga gjaku i Protomartirëve.

 Bekimi solemn eukaristik u dha në sheshin e Protomartirëve Romakë, gjatë një çasti lutjeje. Morën pjesë në këtë përkujtim Urdhërat fetare, ato kalorësiake e besimtarët e famullive të ndryshme të Romës.

Protomartirët romakë u martirizuan në Romë, nga perandori Neron në vitin 64, pasi u akuzuan prej tij se i kishin vënë flakën qytetit. Kulti i tyre, i promovuar nga “Collegium cultorum martyrum” u miratua në vitin 1922 për dioqezën e Romës.








All the contents on this site are copyrighted ©.