2017-06-30 13:00:00

Papa Françesku: Amerika Latine t’i bëjë ballë emigracionit, dramë e ndarjes


Amerika Latine të bashkojë përpjekjet për t’i bërë ballë emigracionit, kësaj drame, që ndan familjet: kështu u tha Papa Françesku rreth 200 anëtarëve të Organizatës Ndërkombëtare Italo-Latinoamerikane, të cilët i priti sot në Vatikan, me rastin e 50-vjetorit të këtij institucioni.

Kush është Organizata Ndërkombëtare Italo-Latinoamerikane

Organizata, e themeluar në Romë në vitin 1966, është aktive në fushën kulturore, shkencore e në atë të bashkëpunimit për zhvillim. Në të bën pjesë Italia dhe 20 vende të Amerikës Latine, ndër të cilat edhe Argjentina, atdheu i Papës Bergoglio. Tre, aspektet, që nënvizoi Ati i Shenjtë, në fjalën për anëtarët e Organizatës, me të cilët analizoi çastin aktual, që po kalon pjesa jugore e kontinentit amerikan.

Të zbulohet potencialiteti i Amerikës Latine

Së pari, “të zbulohet potencialiteti” i tij. Vendet e Amerikës Latine, theksoi Papa, janë të pasura me histori, kulturë, pasuri natyrore. Njerëzit janë të mirë e solidarë me popujt e tjerë, siç dëshmohet nga ndihma, që i japin njëri-tjetrit, sidomos, në rastet e fatkeqësive natyrore. E megjithatë, denoncoi Ati i Shenjtë, kriza aktuale ekonomiko-shoqërore e ka sprovuar rëndë këtë popullsi, duke shtuar varfërinë, papunësinë, pabarazinë shoqërore, shfrytëzimin dhe abuzimin me ambientin.

“Para kësaj situate – theksoi Papa Françesku – është e nevojshme një analizë, që ka parasysh realitetin e njerëzve konkretë, realitetin e popullit tonë. Kjo do të na ndihmojë t’i kuptojmë nevojat reale, si edhe të vlerësojmë pasurinë, që çdo njeri e çdo popull mbart në vetvete”.

Të “koordinohen” përpjekjet për të dhënë përgjigje konkrete

Më pas, vuri në dukje Papa aspektin e dytë, duhen “koordinuar” përpjekjet për t’u dhënë përgjigje konkrete e për t’u bërë ballë kërkesave dhe nevojave të bijve e të bijave të Amerikës Latine.

         “Para një bote të globalizuar e gjithnjë e më të ndërlikuar – nënvizoi Ati i Shenjtë – Amerika Latine duhet t’i bashkojë përpjekjet për t’i bërë ballë fenomenit të emigracionit… i cili, vitet e fundit, është rritur siç nuk është parë kurrë deri tani. Njerëzit tanë, të shtyrë nga nevoja, shkojnë në kërkim të ‘oazeve të reja’, për të gjetur qëndrueshmëri më të madhe e punë, që u garanton më tepër dinjitet në jetë. Por, në këtë kërkim – denoncoi më tej Papa – shumë pësojnë dhunimin e të drejtave të tyre; shumë fëmijë e të rinj janë viktima të trafikut e shfrytëzohen, ose bien në rrjetet e kriminalitetit e të dhunës së organizuar. Emigracioni është dramë e ndarjes: ndahen familjet, bijtë ndahen nga prindërit, largohen nga toka e origjinës e, edhe vetë qeveritë e vendet përçahen përballë kësaj situate. Nevojitet një politikë e përbashkët bashkëpunimi – theksoi Ati i Shenjtë – për ta përballuar këtë fenomen”.

“Promovim” e dialog në të gjitha nivelet me vendet latinoamerikane

“Promovimi” ishte aspekti i tretë, për të cilin foli Papa Françesku me anëtarët e Organizatës Ndërkombëtare Italo-Latinoamerikane. Sipas Bergoglios, duhet promovuar kultura e dialogut dhe e ligjshmërisë, sidomos në ato vende ku korrupsioni ka prekur shtresa të ndryshme të shoqërisë. I rëndësishëm, edhe dialogu politik ndërmjet vendeve-anëtare të Organizatës, por edhe me vendet e kontinenteve të tjera, sidomos të Evropës, për shkak të lidhjeve, që e bashkojnë me Amerikën Latine.

“Dialogu është i domosdoshëm, - theksoi Ati i Shenjtë - por jo ‘dialog ndërmjet të shurdhërve’! Kërkohet një qëndrim i hapur, që t’i mirëpresë sugjerimet dhe t’i bashkëndajë aspiratat. Është shkëmbim i ndërsjelltë besimi, që e di se nga ana tjetër, ka një vëlla me dorën e shtrirë për të ndihmuar, që dëshiron të mirën e të dyja palëve e dëshiron të përforcojë lidhjet e vëllazërisë e të miqësisë për të përparuar në rrugët e drejtësisë e të paqes”, përfundoi Papa Françesku, duke i inkurajuar anëtarët e Organizatës Italo-Latinoamerikane në punën e tyre të mëtejshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.