2017-06-30 14:44:00

"Kalorës i Skënderbeut", drejtuesi i programit shqip, don David Gjugja


Dita e djeshme, 29 qershor 2017, do të mbetet e paharruar në kujtesën e programit shqip të Radio Vatikanit. Presidenca e Republikës së Shqipërisë i akordoi titullin e dytë të nderit kryeredaktorit, don David Gjugjës, i cili u bë “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, së bashku me Prefektin e Sekretarisë së Vatikanit për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò.

Ishte, nga ana e institucionit më të lartë shtetëror, njohja e “kontributit të shquar, për rreth 30 vjet si drejtues i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe”, siç thuhet në motivacionin për dhënien e titullit. Gjithashtu, përmenden aftësitë si “përkthyes zyrtar për gjuhën shqipe i Papa Gjon Palit dhe i Papa Françeskut, gjatë vizitave të tyre apostolike në Shqipëri; personalitet që ka ndikuar shumë që raportet midis Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë, të jenë në nivelin më të mirë të mundshëm”.

Së bashku me Urdhërin e Nënë Terezës, marrë në vitin 2005 me një ceremoni në Radio Vatikan, ky titull dëshmon lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet këtij realiteti në Selinë e Shenjtë, siç është redaksia e gjuhës shqipe, dhe krejt popullit shqiptar, i cili e ka ndjekur edhe në vite të vështira, kur dëgjimi i fjalëve të Radios së Papës sillte ngushëllim në mesin e shterpësisë shpirtërore të diktaturës komuniste, por edhe vinte në rrezik jetën.

Pas komunizmit, redaksia e gjuhës shqipe ndoqi ngjarjet e atij populli, që i lirë, por me sfida të tjera për të përballuar, u nis udhës së demokracisë. Ndryshoi edhe Radioja e Papës. Nëse më parë iu desh ta shndriste atë popull me mësimet e Ungjillit të Krishtit, kur Krishtin e kishin ndryrë në katakombe, tani, haptasi, mësimet e Ungjillit shndrisnin dhe i drejtonin shqiptarët në rrugën e panjohur, që kishte përpara. Protagonist i këtij ndryshimi, përgjegjës i programit shqip për gati 30 vjet tashmë, ishte don David Gjugja. Për më tepër mbi dekorimin në Presidencën e Republikës të Shqipërisë, nga Tirana, të ndjekim informacionin e Ferdinand Ndocajt. Ta dëgjojmë…

                                                                                                                                                                                                           Tiranë 29 qershor 2017

Një moment festiv e gëzimi të ligjshëm, përjetojnë sot mbarë besimtarët katolikë shqiptarë. Kurorëzimi i një bilanci pune, përkushtimi i jetës në Krishtin e nderimi i dy figurave kishtare, këtë herë bëhet, përmes një ceremonie në Presidencën e Republikës së Shqipërisë. Presidenti, z. Bujar Nishani, përshëndetet miqtë e ftuar dhe menjëherë ekzekutohet “Himni Kombëtar i Flamurit”; në një atmosferë emocionante, ai vlerëson lart, kontributin e dhënë në drejtim të marrëdhënieve të ngrohta midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë; e për këtë në mënyrë specifike, sot ai falënderon imzot Dario Edoardo Viganò, Prefekt i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit për Komunikimin e njëherësh edhe don David Gjugja, drejtues i programit shqip të Radio Vatikanit për 30 vite pa ndërprerje, për të cilët edhe organizohet kjo ceremoni e dhënies së dekorimit me motivacionin si “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”…;

Sigurisht, Presidenti Nishani, në mënyrë të posaçme, falënderon Selinë e Shenjtë, personalitet e pranishme në ceremoninë e dekorimit si Imzot Kristoforo Palmieri, ipeshkëv i Rrëshenit, të afërmit e miqtë dh dashamirët e tjerë që e nderuar këtë ngjarje të shënjuar me pjesëmarrjen e tyre.

Presidenti Nishani, në fjalën e tij kujtoi vizitën historike të Papa Françeskut në Shqipëri, duke e quajtur atë njeri të jashtëzakonshëm dhe frymëzues të madh të dialogut. Më pas Presidenti i Shqipërisë përmendi edhe ngjarjet e viteve të fundit dhe sidomos në nderimin që Papa Françesku u ka bërë 38 martirëve shqiptarë e deri tek dhurata e 3 ipeshkvijve të rinj, në kohët e fundit.

Akordohet titulli i nderit dhe medalja “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” me motivacionet, që ndër të tjera, për imzot Dario Edoardo Viganò-n, nënvizon: “…përkrahjen e vlerave demokratike të shqiptarëve, si Prefekt i Sekretarisë për Komunikim në Selinë e Shenjtë, dhe si realizuesi i një dokumentari me vlera, për Televizionin e Vatikanit lidhur me vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri… ndërsa për Don David Gjugjën në motivacion vlerësohet kontributi i shquar, për rreth 30 vite, si drejtues i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe; vlerësohet ai, si përkthyes zyrtar për gjuhën shqipe, i Papa Gjon Palit dhe i Papa Françeskut, gjatë vizitave të tyre apostolike në Shqipëri; mbi të gjitha shprehet konsiderata si personalitet që ka ndikuar shumë, që raportet midis Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë, të jenë në nivelin më të mirë të mundshëm”. Gjatë dorëzimit të Medaljeve të nderit “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” e në shtrëngimin e duarve bëhen edhe fotot e rastit për ta fiksuar në kujtesë këtë moment tepër domethënës.

Në fjalën e rastit, pas marrjes së medaljes, Imzot Dario Edoardo Viganò dhe Dom David Gjugja, falënderojnë për nderimin, si shprehje e drejtpërdrejtë e një lidhje të fortë, e të qëndrueshme tashmë, mes Shqipërisë dhe selisë së shenjtë.

Kujtesa historike e përjetimeve, e vuajtjeve të gjata dhe persekutimi e martirizimi por, edhe të mbeturit besnik në identitetin e vet, në rrënjët e veta, në fenë e vet, aq sa t’i dhuronte Evropës “Athleta Christi”n, Gjergj Kastriotin- Skanderbeg, figurën e ndritur të Kombit shqiptar, emri i të cilit i jep shkëlqim të ri titullit të nderit “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, ishin fjalët që morën theks të veçantë nga të dekoruarit.

U vu në dukje gjithashtu se Zëri i Radio Vatikanit në shqip e ka shoqëruar hap pas hapi udhën e bashkatdhetarëve shqiptarë gjatë viteve të errëta e të dhimbshme të diktaturës komuniste, por edhe u Kujtua se në ato studio kaluan personalitete të mëdha, që me fjalën dhe mendimin e tyre, e mbështetën popullin shqiptar në kthesat më të vështira të historisë së tij duke e inkurajuar në kohët e rifitimit të lirisë. Mjafton të kujtojmë dy Shenjtorë: Shën Gjon Palin II e Shenjtëreshën shqiptare Nënë Terezën e Kalkutës.

Në vazhdim u hodh dritë mbi aktualitetin, që u konsiderua si një takim i pandërprerë që vijon me përpikmërinë e gatishmërinë karakteristike për mediat e reja të Vatikanit, plot vëmendje, për të ndjekur hapat e sukseset e mëtejshme, që pritet t’i arrijë Shqipëria e shekullit të 21-të. Kështu fjala e Atit të Shenjtë - Papës vijon të përhapet nga Redaksia shqip, që përbën, në kuptimin më të plotë të fjalës, një urë ndërmjet këtij vendi të lavdishëm dhe Selisë së Shenjtë, ndërmjet Kishës vendase e asaj Universale.

Duke bërë shenjë nga flamuri kombëtar Don David Gjugja, në përfundim të përshëndetjes, përmendi fjalët domethënëse të Papës Françesku, shqiptuar në shtatorin e vitit 2014 në Tiranë: “Mos e harroni shqiponjën. Shqiponja nuk e harron kurrë folenë, por fluturon lart. Fluturoni lart! Shkoni lart. Sot erdha t’ju jap zemër ta përforconi shpresën në ju e rreth jush; t’i vini në lëvizje breznitë e reja; të ushqeheni përherë me fjalën e Zotit, duke ia hapur zemrat Krishtit, Ungjillit të Tij takimit me Zotin e takimit me njëri-tjetrin siç keni bërë gjithnjë: përmes këtij takimi ju i jepni dëshminë tuaj mbarë Evropës”. E sipas don Davidi, “shqiponjat kthehen me shumë mall e dashuri në folenë e Atdheut”.

Mbyllja e ceremonisë së dekorimit, zhvilluar pranë Presidencës së Shqipërisë, në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, ia la vendin fotografive, për ta fiksuar në kujtesë këtë moment të rëndësishëm nderimi e vlerësimi.

Ferdinand Ndocaj për Radio Vatikanit nga Tirana 








All the contents on this site are copyrighted ©.