2017-06-30 12:57:00

Ipeshkvijtë australianë: kard. Pell ka të drejtë të supozohet i pafajshëm


Ipeshkvijtë australianë prononcohen për kardinalin George Pell, i akuzuar në Australi për krimin e abuzimit seksual me të miturit. “Kardinali – thonë ipeshkvijtë - ka të drejtë të supozohet i pafajshëm, ashtu si çdo anëtar tjetër i bashkësisë civile, derisa rasti i tij të shqyrtohet nga Gjykata e Melbourne-it, më 18 korrik”.

Në një notë të agjencisë katolike Sir, zv.presidenti i Konferencës së Ipeshkvijve australianë, kryeipeshkvi Mark Coleridge, nënvizon edhe se “kardinali hedh poshtë çdo akuzë. Në të kaluarën, ka bashkëpunuar vazhdimisht me autoritetet civile dhe tani, drejtësia ka nevojë të bëjë rrugën e vet”.

Qëndrimi i Vatikanit

Kujtojmë se kardinali George Pell është prefekt i Sekretarisë së Vatikanit për Ekonominë, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Papës Françesku, anëtar i Këshillit të Nëntë kardinajve, që e ndihmojnë Atin e Shenjtë në udhëheqjen e Kishës Universale. Dje, para nisjes për në Australi, hodhi poshtë publikisht të gjitha akuzat, që i bëhen, me një deklaratë zyrtare në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Edhe drejtori i Sallës së Shtypit, Greg Burke, në një notë, nënvizoi se “Ati i Shenjtë, që ka pasur mundësinë ta vlerësojë ndershmërinë e kard. Pell gjatë tre viteve të punës në Kurien Romake, i shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin e, në veçanti, për impenjimin energjik në favor të reformave në sektorin ekonomik dhe administrativ dhe për pjesëmarrjen aktive në Këshillin e Kardinajve (C9)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.