Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në Engjëllin e Tënzot: armiqtë tanë të vërtetë janë mëkati e djalli

Papa në Engjëllin e Tënzot

29/06/2017 14:51

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa foli për Shenjtorët Pjetër e Pal, që Etërit e Kishës i krahasonin me dy shtylla, mbi të cilat ngrihet ndërtesa e dukshme e Kishës. Të dy - nënvizoi - e vulosën me gjakun e tyre dëshminë për Krishtin, me predikim e shërbim ndaj bashkësisë së krishterë në fasha. Kjo dëshmi vihet në dukje në Leximet biblike të liturgjisë së sotme, që tregojnë arsyen për të cilën feja e tyre, e dëshmuar dhe e kumtuar, u kurorëzua, pastaj, me provën më të lartë të martirizmit.

Libri i Veprave të Apostujve - vijoi Papa -  rrëfen ngjarjen e burgimit e, më pas, edhe të lirimit të Pjetrit. Armiqësinë kundër Ungjillit ai e provoi që kur ishte në Jeruzalem, ku qe mbyllur në burg nga Mbreti Herod, me synim që ta nxirrte para popullit. Por shpëtoi mrekullisht e kështu mundi ta çonte deri në fund misionin e tij ungjillëzues, një herë në Tokën Shenjte e më pas, edhe në Romë, duke i vënë të gjitha energjitë në shërbim të bashkësisë së krishterë:

“Edhe Pali e provoi shijen e hidhur të armiqësive, nga të cilat e liroi vetë Zoti. I dërguar nga Krishti i Ngjallur në shumë qytete, pranë popullsive pagane, ai hasi një mori kundërshtimesh për shkak të Ungjillit”.

Dy lirimet e tyre flasin për udhën e përbashkët të Apostujve, të cilët u dërguan ta kumtojnë Ungjillin në ambiente të vështira e, nganjëherë, edhe armiqësore. Të dy, me ngjarjet e tyre personale dhe kishtare, na dëshmojnë e na thonë ne, sot, se Zoti është gjithnjë përkrah nesh, ecën me ne, nuk na braktis kurrë. Posaçërisht në çastin e provës, Zoti na shtrin dorën, na vjen në ndihmë e na liron nga kërcënimet e armiqve. Por, mos ta harrojmë kurrë: armiku ynë i vërtetë është mëkati. E djalli na shtyn drejt tij. Kur pajtohemi me Zotin, posaçërisht në Sakramentin e Rrëfimit, duke marrë hirin e ndjesës, çlirohemi nga verigat e së keqes e nga barra e gabimeve tona. Kështu mund ta vijojmë rrugën si kumtues e dëshmitarë gazmorë të Ungjillit, duke treguar se Zoti na mëshiroi:

“Virgjërës Mari, Mbretëreshë e Apostujve, ia drejtojmë lutjen tonë, e cila sot i kushtohet sidomos Kishës, që jeton në Romë e edhe këtij qyteti, Pajtorë të të cilit janë Pjetri e Pali”.

Uroj - shtoi Papa - që mirësia e hiri i Zotit të jenë me të gjithë popullin romak e që të jetojë në vëllazëri e harmoni, duke e bërë të shndrisë fenë e krishterë, të dëshmuar nga dy Shenjtorët, Pjetër e Pal.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i përshëndeti përsëri pesë kardinajtë e krijuar në Koncistorin e djeshëm si dhe Kryeipeshkvijtë metropolitë, emëruar vitin e fundit, ardhur nga vende të ndryshme, me të cilët kremtoi sot Eukaristinë. Ndërmjet tyre, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo, që na flet, nga Sheshi i Shën Pjetrit.

I përshëndeti dhe i uroi përsëri edhe kardinajtë si dhe të gjithë ata, që i shoqëruan në këtë shtegtim.

Papa kujtoi me përzemërsi të madhe praninë, në festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal, të delegacionit ardhur në Romë në emër të Patrikut Ekumenik, - vëllait të shumëdashur Bartolomeo – siç e quajti. Edhe kjo prani - kujtoi - është shenjë e lidhjeve vëllazërore ndërmjet Kishave tona.

Si përshëndeti me radhë grupet e ndryshme, të pranishme, ardhur nga të katër anët e botës për të kremtuar së bashku festën e Kryeapostujve, Papa i drejtoi një përshëndetje të posaçme besimtarëve të Romës, në festën e Pajtorëve të qytetit të tyre.    

Me këtë rast Françesku kujtoi edhe manifestimin, që njihet me emrin “Infiorata”, realizuar nga artistë, që zbukurojnë me kompozime lulesh, me tema kryesisht fetare, Rrugën e Pajtimit. Papa i falënderoi për punën e tyre, duke kujtuar edhe shfaqjen tjetër tradicionale, Festën e fishekzjarreve,  e cila do të gjallërojë këtë natë të madhe Romën, organizuar në Sheshin e Popullit.

29/06/2017 14:51