2017-06-28 00:00:00

Simboli i Palio-s gjatë historisë deri sot.


Ky rit tradicional i liturgjisë papnore, pra riti i dorëzimit të palos që është  një lloj shalli i bardhë e që  vihet mbi supe  të çdo kryeipeshkvi metropolit, është një shenjë e lashtë, sidomos në Perëndim, ku ka qenë karakteristike për papën. E dimë nga të dhënat historike se Papa e përdorte palion që në shekullin IV. Ka shumë mundësi  që palio të jetë simbol dinjiteti, që u dorëzohej perandorëve e që, pastaj me kohë, u kaloi ipeshkvijve.

Më vonë Roma nisi t’ua japë vetëm ipeshkvijve metropolitë, posaçërisht në kohën e Gregorit VII, menjëherë pasi kaloi viti njëmijë, kur ndjehej nevoja të kontrollohej zgjedhja e ipeshkvijve. Që nga kjo periudhë, ipeshkvijtë filluan të vijnë në Romë për ta marrë palion nga Papa. Më vonë palio nisi t’u jepej edhe atyre që nuk ishin metropolitë, si shenjë nderimi. E kohët e fundit, flasim për fundin e viteve ’70, u bë reforma e palios, sipas vendimit të Papës Palit VI. Që atëherë palio u dorëzohet vetëm  kryeipeshkvijve metropolitë e shumica e tyre e marrin më 29 qershor, në solemnitetin e Apostujve Pjetër e Pal, pikërisht për të nënvizuar lidhjen shpirtërore e kishtare të atij  ipeshkvi që e merr palion me Selinë Apostolike dhe me Papën.

Ç’simbolizon palio për ditët tona?

Simbolika e palio-s ka ardhur duke u pasuruar në rrjedhë shekujsh. Në fillim palio kishte simbolikë thjeshtë kishtare, tregonte delen e humbur, ose më mirë të themi, bariun që e mban delen e humbur mbi supin e majtë. Kjo palio jepet edhe tani nga Papa. Është palio që e gjejmë në gjithë ikonografinë, në të gjithë mozaikët e mijëvjeçarit të parë. Më pas, si kaloi mijëvjeçari i parë, palio ndërroi formë; kuptimi i deles së humbur u zbeh deri në harresë e nisi të vihet në formë ypsiloni mbi personin që e mbante, duke fituar kështu një kuptim të ri. Kryqat që e stolisin palion, morën kuptimin e plagëve të Krishtit Zot, kryqat e kuq. Karficat morën kuptimin e tri gozhdëve të kryqëzimit të Krishtit. Kështu palio mori kryesisht domethënie kristologjike, u bë simbol i Krishtit, Bariut të mirë. Tani i kemi të dy këto elemente së bashku. Siç dihet Palio endet me lesh qengji dhe vijon të simbolizojë delen e humbur; ka tri karfica si dhe kryqa. Të gjitha këto shenja tregojnë se Bariu i mirë e jep edhe sot jetën për delet e veta, për shpëtimin e tyre.

Palio është simbol i autoritetit të kryeipeshkvit metropolit, në bashkim me Kishën e Romës.

Kujtojmë se çdo vit, më 21 janar, në festën e Shën Anjezes, sipas një tradite të lashtë, Papa bekon dy qingja, që i paraqiten në dy shporta të veshura me kadife të verdhë, stolisur me lule të bardha, ngjyrat e Vatikanit. Leshi i tyre përdoret për endjen e paliove të shenjta, të cilat bekohen nga Papa më 29 qershor, për t'u vendosur, më pas, në një arkë të vogël prej argjendi të praruar pranë Varrit të Shën Pjetrit e, që aty, mbi shpatullat e kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, gjë që shpreh lidhjen e ngushtë të ipeshkvijve me Selinë e Shën Pjetrit.

Shumë e pasur është simbolika e palio-s,  një fashë leshi e bardhë, e gjërë 4-6 centimetra, mbi të cilën spikasin pesë kryqe të qëndisur me mëndafsh të zi, simbol i pesë plagëve të Krishtit në kryq. Ajo vendoset mbi shpatulla të kryeipeshkvit metropolitë duke u mbërthyer në kraharor, në shpinë e në shpatullën e majtë me tri karfica të stolisura me gurë, që njihen me emrin aciculae.

Palio, që simbolizon delen e humbur, të kërkuar, të shpëtuar e të vënë përmbi shpatullat e Bariut të Mirë, është shprehje liturgjike e nderimit dhe e detyrës që papa u ngarkon ipeshkvijve metropolitë. Tre muaj pas shugurimit ose emërimit, ipeshkvi metropolit duhet të marrë nga papa palion.
Kjo traditë nisi që nga gjysma e shekullit IX. Dorëzimi i palio-s bëhet në Romë nga kardinali i parë diakon ose jashtë Rome, në selinë metropolitane, nga ipeshkvi i ngarkuar me këtë detyrë, pas meshës solemne e pasi kryeipeshkvi metropolit ka bërë betimin për besnikëri.

Metropoliti e vë palio-n vetëm në meshët pontifikale të kishës së tij ose të krahinës së tij në ditët e përcaktuara nga Pontifikali Romak, në festën e Zojës së Papërlyer e të Shën Jozefit, shtuar nga papa Leoni XIII, në rastet e shugurimeve meshtarake ose ipeshkvnore etj. Ka karakter personal e nuk mund t’i dorëzohet asnjë njeriu tjetër. Në se kryeipeshkvi transferohet në një seli tjetër metropolitane, duhet të kërkojë një palio të re.

Vetëm Papa ka të drejtë ta mbajë gjatë meshëve solemne e kudo. Për herë të parë palio nisi të përdorej aty nga gjysma e shekullit V. E shohim këtë në fildishin e famshëm të Trevirit, në një procesion me relike, e edhe më qartë në figurën e Ipeshkvit Masimiani, në mozaikun e Shën Vitales të Ravenës (Itali), realizuar aty nga gjysma e shekullit VI.








All the contents on this site are copyrighted ©.