2017-06-28 15:01:00

Papa Françesku kremtoi Koncistorin për krijimin e 5 kardinajve të rinj


Sot pasdite, në orën 16.00, në Bazilikën e Vatikanit, Papa Françesku kryesoi Koncistorin e zakonshëm publik për krijimin e pesë kardinajve të rinj. Njoftimin e pati dhënë në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore të 21 majit të kaluar. Kardinajtë e rinj, të ardhur nga 5 Kombe të ndryshme, janë: imzot Jean Zerbo, kryeipeshkëv i Bamako, Malí; imzot Juan José Omella, kryeipeshkëv i Barcelonës, Spanjë. E pastaj, imzot Anders Arborelius, ocd, ipeshkëv i  Stokholmit, Suedi; imzot Louis-Marie Ling Mangkhanekhoun, ipeshkëv titullar i Acque nuove di Proconsolare, vikar apostolik i Paksé, Laos. E, së fundi, imzot Gregorio Rosa Chávez, ipeshkëv titullar i Mulli, ndihmës i kryedioqezit të San Salvador, El Salvador. Me këto emërime të reja, Kolegji kardinalor numëron 121 kardinaj zgjedhës.

“Jezusi ecte para tyre”. Këtë figurë, marrë nga Ungjilli i sapodëgjuar i Shën Markut, që përbënte sfondin e kremtimit, përdori Papa në homelinë e Koncistorit për kardinajtë e rinj. Jezusi ecte drejt Jeruzalemit. E dinte mirë  ç’e priste e ua tregoi edhe dishepujve të vet. Por ndërmjet zemrës së Krishtit e asaj të dishepujve kishte një distancë, që vetëm Shpirti Shenjt mund ta  zhdukte. Jezusi e di, prandaj u paraprin.

Gjatë udhës së tyre - kujtoi më pas Papa - edhe dishepujt habiten nga interesa, të cilat nuk përkojnë me drejtimin e Jezusit, me vullnetin e tij, që është edhe vullneti i Atit. Sapo e dëgjuam - konkretizoi Papa, duke komentuar Ungjillin – se dy vëllezërit, Jaku e Gjoni, mendojnë: sa bukur do të ishte të uleshin në të djathtën e në të majtën e Mbretit të Izraelit. Në të dyja anët e fronit mbretëror. Kjo ëndrra e tyre:

“Nuk kanë sy për ta parë realitetin. Besojnë se shikojnë, por nuk shohin, se kuptojnë më mirë nga të tjerët, por nuk marrin vesh. Realieti është krejt ndryshe: është Kryqi!”.

Është mëkati i botës, që Zoti erdhi ta merrte mbi vete për ta çrrënjosur nga toka e burrave dhe grave:

 “Realiteti janë të pafajshmit, që vuajnë e vdesin për shkak të luftërave e të terrorizmit; janë skllavëritë, të cilat vijojnë ta mohojnë dinjitetin edhe në epokën që e quan veten ‘e të drejtave të njeriut’; realiteti është ai i kampeve të refugjatëve, që nganjëherë i ngjasin më shumë ferrit sesa purgatorit; realiteti është flakja sistematike e të gjitha sendeve, që nuk shërbejnë më, e edhe e njerëzve”.

Këtë shikon Jezusi, nësa ecën drejt Jeruzalemit. Sheh e shikon se ka ardhur  çasti të shkojë deri në fund të fundit, ta shkulë rrënjën e së keqes, e për këtë shkon vendosmërisht drejt Kryqit!

Edhe ne – u kujtoi Papa të pranishëmve - jemi për udhë me Jezusin, ecim në të njëjtën rrugë. E duke iu drejtuar posaçërisht kardinajve të rinj, u kujtoi:

 “Jezusi ecën drejt jush dhe kërkon ta ndiqni vendosmërisht në udhën e Tij. Ju bën thirrje ta shikoni realitetin, të mos habiteni nga interesa të tjera, nga perspektiva të tjera”.

Po cila është perspektiva e thirrjes?

“Ai nuk ju thirri të bëheni ‘princër’ në Kishë, të uleni në të djathtën e në të majtën e Tij. Ju thirri të shërbeni si Ai e me Të. T’i shërbeni Atit e vëllezërve”.

Duke e vijuar këtë thirrje për shërbim, Papa theksoi:

“Ju thërret të përballoni me të njëjtën mënyrë, si Ai vetë, mëkatin e  botës e pasojat e tij mbi njerëzimin e sotëm. Duke ndjekur Krishtin, edhe ju ecni  përpara popullit të shenjtë të Zotit, me sy të ngulur mbi Kryqin e mbi Ngjalljen e Krishtit”.

Nëpër ndërmjetësim të Virgjërës Nënë - u lut në përfundim të homelisë Françesku - t’i drejtohemi me fe Shpirtit Shenjt, ta zhdukë çdo distancë ndërmjet zemrave tona e Zemrës së Krishtit, që e gjithë jeta jonë të bëhet shërbim ndaj Zotit e ndaj vëllezërve.

I thellë, emocioni i këtij kremtimi e posaçërisht i kardinajve të rinj, përballë kësaj ngjarjeje, që nuk e kishin pritur. Të gjithë në lutje drejtuar Zotit, që t’i ndihmojë për ta kryer këtë detyrë kaq me përgjegjësi. Nga Bazilika e Shën Pjetrit, kardinali Rosa Chavez i drejtoi popullit të vet  mesazhin:

“E mora këtë emërim si nderim për imzot Romeron. Ishte ai, që e meritonte: do ta mbaj petkun e kuq, të ngjyrosur me gjakun e tij. Ai është kardinali i së vërtetës, që u kurorëzua me gjakun e vet. Në emër të tij e marr këtë nderim e shpresoj të mësoj prej Tij sesi jetohet Misioni i Kardinalit, me devocion të plotë ndaj Kishës dhe popullit të Zotit".








All the contents on this site are copyrighted ©.