Papa Françesku kritikoi sot pensionet jashtëzakonisht të larta, që krijojnë shkandull njëlloj si ato të pamjaftueshme. Kërkoi një pakt të ri punësimi, që të rinjtë të gjejnë punë. Ati i Shenjtë priti sot në Vatikan delegatët e sindikatës italiane CISL, e cila që sot e deri të shtunën është mbledhur në kongres.
Papa vuri theksin mbi rëndësinë e punës
Papa pohoi se shoqëria është e pamend dhe miope, nëse i detyron të moshuarit të punojnë tepër gjatë, duke e lënë pa punë brezin e ri, pikërisht në moshën kur duhet të impenjohet edhe për të moshuarit e për të gjithë të tjerët. Në Itali, për shembull, rreth 40% e të rinjve nuk janë të punësuar:
“Kur të rinjtë janë jashtë botës së punës, ndërmarrjeve u mungon energjia, entuziazmi, risia, gëzimi për të jetuar - pasuri të çmuara e të përbashkëta, që e përmirësojnë jetën ekonomike dhe lumturinë publike”.
Kritikë për pensionet e mëdha
Më pas, Ati i Shenjtë nuk mungoi të kritikojë të ashtuquajturat “pensione të arta”, që në Itali janë ato, të cilat e tejkalojnë shifrën 2.500-3.000 euro në muaj:
“Kur jo gjithmonë e jo të gjithëve u njihet e drejta për një pension të drejtë – të drejtë, sepse nuk duhet të jetë as tepër i varfër e as tepër i pasur – ‘pensionet e arta’ janë fyerje për punën jo më pak të rëndë të atyre, që kanë pensione tepër të vogla, pasi kështu, pabarazitë e kohës së punës bëhen të përhershme”.
Të rishikohen skemat e punësimit
Bota e punës është në shndërrim të shpejtë, nënvizoi më tej Papa, prandaj duhen rishikuar skemat e deritanishme:
“Është urgjent një pakt i ri shoqëror për punën, i cili t’i ulë orët e punës atij, që kalon sezonin e fundit të punësimit, për të krijuar kështu, punë për të rinjtë, të cilët kanë të drejtën e detyrën të punojnë. Dhurata e punës është dhurata e parë e nënave dhe e baballarëve për bijtë e bijat; është pasuria e parë e shoqërisë. Është paja e parë, me të cilën i ndihmojmë të fluturojnë të lirë drejt jetës së njeriut të rritur”.
Sëmundjet e sindikatës
Duke iu drejtuar sindikalistëve të CISL-it, Papa Françesku vuri në dukje sëmundjet, që mund të prekin këtë organ të vlefshëm për punëtorët. “Në shoqëritë tona kapitaliste të përparuara – nënvizoi – sindikata ka rrezik ta humbasë natyrën e saj profetike dhe të bëhet tepër e ngjashme me institucionet e me pushtetet, të cilat duhet t’i kritikojë. Me kalimin e kohës, sindikatat po i ngjajnë gjithnjë e më tepër politikës, ose më mirë, partive politike, gjuhës së tyre, stilit të tyre. Por, nëse mungon përmasa tipike dhe e ndryshme, edhe veprimtaria brenda ndërmarrjeve e humbet forcën dhe frytshmërinë”.
Ekonomia, gjithnjë në shërbim të njeriut
Ekonomia, theksoi më tej Ati i Shenjtë, duhet të jetë gjithnjë e vetëm në shërbim të njeriut:
“Të themi ‘ekonomi shoqërore e tregut’, siç na ka mësuar Shën Gjon Pali II… ‘ekonomi shoqërore e tregut’. Ekonomia e ka harruar këtë natyrë shoqërore, të cilën e ka vokacion… natyrën shoqërore të ndërmarrjes, të jetës, të lidhjeve e të pakteve”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |