Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa në Shën Martë: nuk vlejnë horoskopët, ecim drejt të papriturave të Zotit

Papa meshon në Shën Martë

26/06/2017 12:56

Nuk vlejnë horoskopët e falltarët për të njohur ardhmërinë; i krishterë i vërtetë nuk është ai, që ngulet e rri i ngrirë, por ai që beson në Zotin dhe e lë t’i prijë drejt të papriturave të Tij. Kështu Papa Françesku gjatë homelisë së sotme, mbajtur në Shtëpinë e Shën Martës, e fundmja para pushimeve verore.

I krishteri i amullt nuk është i krishterë i vërtetë. Ftesë, kjo, për të mos ndenjur ngrirë, për të mos u ngulur shumë në një vend, për t’i besuar Zotit  e për ta ndjekur pas kudo, që të thërret. Duke marrë shtytjen nga Leximi i Parë i liturgjisë së sotme, shkëputur nga Libri i Zanafillës, Françesku reflektoi mbi figurën e Abrahamit i cili - shpjegoi - jeton sipas stilit të jetës së krishterë, stilit të jetës sonë si popull, bazuar mbi tri përmasa:  “zhveshja”, “premtimi”, “bekimi”. Zoti - kujtoi Papa -  e nxit Abrahamin të dalë nga vendi i vet, nga atdheu i vet, nga shtëpia e atit të vet:

“Qenia i krishterë të çon gjithnjë drejt përmasës së zhveshjes, që përmbushet plotësisht në zhveshjen e Jezusit mbi kryq. Nuk mungon kurrë një ‘shko!’, ‘lëre’,  si shtytje për të bërë hapin e parë. Lëre e dil nga toka jote, largoju nga farefisi yt, nga shtëpia e atit! Nëse nisim e kujtojmë udhën e të krishterit, shohim menjëherë se në Ungjijtë, thirrja e dishepujve s’është tjetër, veçse një ‘shko’, ‘lëre’ dhe ‘eja’”.

Kështu edhe ndër profetët. Të mendojmë Elizeun, duke punuar tokën, dhe zërin që e thërret “lëre, eja!”.

Të krishterët - shtoi Papa - duhet të kenë aftësinë ta zhveshin plotësisht vetveten nga interesat njerëzore, përndryshe nuk janë të krishterë të vërtetë. Ashtu si nuk janë ata, që nuk zhvishen e nuk kryqëzohen, si Jezusi. Abrahami për fe u bind pa fjalë e u nis drejt një toke për ta marrë si trashëgim, por pa e ditur ku ishte e si do ta merrte këtë tokë:

“I krishteri nuk ka horoskop për të shikuar të ardhmen; nuk shkon tek falltari, që ka sferë kristali, që lexon dorën… Jo, jo. I krishteri nuk e di se ku shkon. Duhet t’i prijë dikush. E kjo është përmasa e parë e fesë sonë të krishterë: zhveshja. Por pse kjo zhveshje? Për një asketizëm të ngrirë? Jo, jo! Për të shkuar drejt një premtimi. E kjo është e dyta. Ne jemi burra e gra, që ecim drejt një premtimi, drejt një takimi, drejt diçkaje – një toke, thotë Abrahami - që duhet ta trashëgojmë".

E pra - nënvizoi Papa - Abrahami nuk ndërton ndonjë shtëpi. Mjaftohet të ngulë një çadër, me bindje se është për udhë e me besim të patundur në Zotin. Prej këndej, ndërton një altar për ta adhuruar Zotin. Pastaj vijon të ecë, e e shikojmë gjithnjë përudhë:

“Udha nis çdo ditë sa shkrep agimi, udhë, që duhet t’ia besojmë Zotit, udhë e hapur për të papriturat e Zotit, nganjëherë jo aq të mira, herë tjetër, të këqija - të mendojmë për ndonjë sëmundje, për vetë vdekjen - por udhë e hapur, sepse unë di se Zoti do të më çojë në një vend të sigurt, në një Tokë, të cilën e përgatiti për mua: pra njeriu për udhë, njeriu që jeton nën një çadër, një çadër shpirtërore. Shpirti ynë, kur rehatohet tepër, edhe ngujohet tepër, e humbet përmasën e ecjes drejt premtimit e, në vend që të shkojë drejt premtimit, kërkon që premtimi të vijë drejt tij e edhe ta bëjë pronë të vetën. E kjo nuk shkon, nuk është e krishterë”.

Në këtë farë të fillesës së familjes sonë të krishterë - vuri në dukje Papa - spikat një karakteristikë tjetër, ajo e bekimit: e kjo do të thotë se i krishteri  është burrë a grua që ‘bekon’, që flet mirë për Zotin e për të afërmin, që bekohet nga Zoti e nga të tjerët, për të shkuar përpara. Kjo është skema e jetës sonë të krishterë, sepse ne të gjithë, edhe laikët, duhet t’i bekojnë të tjerët, të flasin mirë për të tjerët e për Zotin e të tjerëve. Shpesh - shtoi Papa - mësohemi të mos flasim mirë për të afërmin, sidomos kur e lëmë gjuhën të vërtitet sipas qejfit, në vend që të ndjekim urdhërimin, të cilin Zoti ia besoi atit tonë, Abrahamit, si “sintezë të vetë jetës”: urdhërimin për ta lënë Zotin të na zhveshë; për t’i besuar premtimeve të Tij e për të qenë të patëmetë.

26/06/2017 12:56