2017-06-26 12:16:00

Papa Françesku priti nuncin apostolik në Venezuelë, imzot Aldo Giordano.


Papa Françesku priti sot në audiencë nuncin apostolik në Venezuelë, imzot Aldo Giordano. “E mira e popullit duhet të jetë prioritet: vetëm kështu mund të arrihet paqja”. Këto janë fjalët e imzot Aldo Giordano, nuncit apostolik në Venezuelë, pas audiencës te Papa Françesku. 

Kujtojmë se në fillim të muajit qershor, Ati i Shenjtë Bergoglio pati pritur në Vatikan Konferencën episkopale të Venezuelës, vendit latinoamerikan të tronditur nga kriza e rëndë humanitare, politike dhe ekonomike. Në protestat e shpërthyera në fillim të prillit kundër presidentit Nicolas Maduro, humbën jetën me dhjetëra vetë. Manifestimet shpërthyen pasi Këshilli kombëtar elektoral caktoi datën 30 korrik për zgjedhjet e Asamblesë kushtetuese, me synim që të ndryshojë ekuilibrin e forcave në parlament.

Sipas ipeshkvijve të vendit, të tronditur për gjendjen, që keqësohet nga dita në ditë, ndërsa qeveria e Karakas synon ta kapërcejë situatën, duke propozuar një Kushtetutë të re, e cila nuk është aspak e nevojshme në këtë çast të vështirë për vendin, është e nevojshme të mbrohen të drejtat e sanksionuara me Kushtetutë e jo të ndërrohet kushtetuta. Për këto probleme e çështje, më 8 qershorin e kaluar, ipeshkvijtë e Venezuelës, tepër të shqetësuar për vendin, patën biseduar me Papën.

Më parë, edhe Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin pati takuar dy përfaqësues të opozitës së Maduro-s.








All the contents on this site are copyrighted ©.