2017-06-26 15:01:00

Në Shqipëri, abstenim i popullsisë e fitore e socialistëve


Ndoshta statistika më e qartë në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Shqipëri është mungesa e zgjedhësve. Në fakt, vetëm rreth 45% e popullsisë iu afrua kutive të votimit, shenjë e qartë e zvjerdhjes prej një politike, e cila, pavarësisht nga përpjekjet për t’u risuar njëfarësoj, u paraqit me parrullat e zakonshme.

Gjithsesi, ai 45%-ësh i votuesve duket se konfirmoi në pushtet Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama, si për t’i thënë se premtimet për reforma e kërkesa për një shumicë të rëndësishme në parlament që t’i çojë ato deri në fund, e kanë bindur këtë pjesë të shqiptarëve se i duhet dhënë një shans i ri 4-vjeçar, pas të cilit nuk ka më justifikime.

Nisur me tone tepër të ashpra e me bojkotimin e Partisë Demokratike në parlament, fushata zgjedhore përfundoi me marrëveshjen ndërmjet dy palëve kryesore, të cilat ua veshën fajin për të gjitha, partive të vogla dhe klientelizmit të tyre, që nuk i paska lënë të qeverisin si duhet. Rezultati, që akoma nuk është përfundimtar, ia jep Partisë Socialiste shumicën në parlament, me të cilën ajo mund të qeverisë e vetme. Sprova fillon pas ditës së sotme dhe e ka emrin, sidomos, luftë kundër korrupsionit, punësim, zbatim i reformës në drejtësi. Pas katër vjetësh, shqiptarët do të kërkojnë sërish llogari për plotësimin e shpresave dhe të aspiratave të tyre. Edhe ai 55%, që dje nuk votoi.








All the contents on this site are copyrighted ©.