2017-06-25 09:20:00

Vdiq kardinali Ivan Dias. Papa: bari i urtë e i njerëzishëm


Të hënën e kaluar, më 19. 06. 2017, ndërroi jetë, në moshën 81 vjeç, në Romë, kardinali Ivan Dias, prefekt nderi i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin e Popujve. Mesha e Dritës dhe riti i salikimeve u kremtuan në Altarin e Katedrës të Bazilikën e Shën Pjetrit, të mërkurën pasdite, në orën 15.00, kryesuar nga dekani i Kolegjit kardinalor, Angelo Sodano.

Telegrami i ngushëllimit, drejtuar nga Papa vëllait të kardinalit të ndjerë, Francis, flet vetë për vlerësimin e kontributit, që i dha Kardinali i ndjerë Kishës, përmes shërbimit të tij të çmuar diplomatik në të katër anët e botës, e, posaçërisht, në Shqipërinë e pas-diktaturës, në rrethanat tejet të vështira të riorganizimit të hjerarkisë së Kishës katolike:

“Thellësisht i trishtuar nga lajmi i vdekjes së vëllait tuaj të dashur, po të dërgoj ngushëllimet e mia më të ndjera, ty e familjes Dias”. Nis kështu telegrami i ngushëllimit për vdekjen e kardinalit Ivan Dias, kryeipeshkëv nderi i Bombay, dërguar nga Papa vëllait të Kardinalit, që vdiq të hënën pasdite, më 19 qeshor 2017.

Françesku kujton me mirënjohje vitet e shërbimit besnik ndaj Selisë Apostolike të kardinalit, që ndërroi jetë në Romë, në moshën 81 vjeçare, e posaçërisht, kontributin për rindërtimin shpirtëror e fizik të Kishës së martirizuar të Shqipërisë. Kujton dhe zellin e tij misionar në punën  si prefekt i Kongregatës për Ungjllëzimin e Popujve, pa harruar edhe besimtarët e kryedioqezës së Bombay-t, ku vijojnë të kujtohen thellësisht shqetësimi i tij baritor dhe vizioni i gjerë apostolik, që e dalluan shërbimin e tij si kryeipeshkëv. Së fundi, Françesku  ia beson shpirtin e këtij bariu të urtë e të njerëzishëm, mëshirës së Zotit, duke u dhënë të gjithëve bekimin e tij apostolik.

Në përfundim të kremtimit, Papa kryesoi ritin e Lëshimit në dorë të Zotit (Ultima Commendatio) dhe të Lamtumirës së fundit (Valedictio). 

Kardinali Dias u varros në Kapelën e Propaganda Fides, në varrezën romake të Veranos.








All the contents on this site are copyrighted ©.