2017-06-25 12:30:00

Papa Françesku tha sot në mesditë lutjen e Engjëllit të Tënzot


Papa Françesku tha sot në mesditë lutjen e Engjëllit të Tënzot, së bashku me besimtarët e mbledhur nga e gjithë bota në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Jeremia profet, në Leximin e parë të liturgjisë së sotme, denoncon ata që e kritikojnë, ndërsa e paralajmëron popullin për të keqen, që do ta gjejë: pushtimi i Jeruzalemit e syrgjynosja e tij në Babiloni. Vetëm besimi në Zotin i dha forcë profetit për të vazhduar, pavarësisht nga përqeshjet e njerëzve, prandaj i paraprin skenës së Jezusit, që në Ungjillin sipas Mateut, u thotë dishepujve të vet të mos kenë frikë. Edhe nëse persekutohen për shkak të kumtimit të Krishtit, siguria u vjen nga e vërteta që shpallin: Jezusi vdiq e u ngjall. Qendra e mesazhit të krishterë mund të çojë edhe në përqeshje e në persekutim, por dishepujt e Krishtit nuk duhet të shkandullohen, sepse këtë e përjetuan edhe profetët e vetë Jezusi. Në Ungjillin e sotëm jepet garancia për një fitore, që nuk është e kësaj bote: Kisha lind nga gjaku i martirëve. Feja e të krishterëve bazohet në paradoksin e madh: edhe kur konsiderohen asgjë nga bota, askush nuk humbet para syve të Zotit, sepse Krishti premton: “Kushdo pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.