2017-06-25 16:12:00

Lituania ka të Lumin e saj të parë: është Teofilo Matulionis


Kisha ka një të Lum të ri: është Teofilo Matulionis, kryeipeshkëv i Kaišiadorys, në Lituani, shembull i shndritshëm i heroizmit të krishterë, vdekur në vitin 1962. Ritin e lumnimit, kremtuar sot në Vilnius, e kryesoi  kardinali Angelo Amato, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, si përfaqësues i Papës.

I lindur më 22 qershor 1873, në Kudoriškis, në një familje fshatare thellësisht të krishterë, djaloshi plot pasion për studim, u shugurua meshtar më 4 mars 1900. I caktuar në qytetin e Shën Petersburgut u mor me ndërtimin e Kishës së Zemrës së Shenjtë të Shëlbuesit, por punimet u ndërprenë për shkak të Revolucionit bolshevik të tetorit 1917. Që aso kohe, jeta e të Lumit të ardhshëm qe hyrje-dalje e vazhdueshme në burgjet sovjetike, deri më 9 shkurt 1929 kur, në kushte klandestiniteti, u shugurua ipeshkëv.

Arrestimi më parë, më pas, audienca në Vatikan

Në nëntor 1929 u arrestua përsëri dhe u dënua me dhjetë vjet punë të detyruar në kampet e përqendrimit të ishujve famëkëqija Solovski, në Detin e Bardhë. Në maj 1933 u dënua me izolim të plotë, për t’u liruar një vit më pas. Ishte një nga vitet e rralla fatbardha për ipeshkvin martir. Mundi të dilte nga vendi, për t’u pritur, në Vatikan, nga Piu XII. Ishte data 24 mars 1934. Mund të kishte qëndruar larg vendit, ku e priste martirizimi. Po ai u rikthye në Lituani, ku u emërua ipeshkëv ndihmës i Kaunasit dhe kryekapelan i ushtrisë, detyrë që e kreu për pak kohë, për shkak të pushtimit sovjetik të vitit 1940. Më 1943, nën pushtimin gjerman, u emërua ipeshkëv i Kaišiadorys. Një vit më pas, trupat sovjetike e pushtuan përsëri Lituaninë dhe rifilluan persekutimin kundër Kishës.

Asnjë kompromis me regjimin

Ipeshkvi u arrestua përsëri e edhe u dënua me 7 vjet burgim. Kur doli nga burgu, me gjithë moshën e shkuar dhe problemet serioze shëndetësore, rifilloi të punojë për mbarshtimin e dioqezës së tij të Kaišiadorys, duke i nxitur administratorët dioqezanë dhe meshtarët, të mos e ulnin vetën aq, sa të hynin në kompromise me regjimin. Asnjë kompromis, pra. Gjithnjë me rrezikun vdekjes mbi kokë. Më 1962, Gjoni XXIII e lartoi ipeshkvin e paepur në dinjitetin e kryeipeshkvit. Po kjo nuk i solli paqen e dëshiruar. Përkundrazi, menjëherë pas këtij nderimi, shtëpia e tij u kontrollua skutë për skutë e vetë ipeshkvi u trajtua aq ashpërsisht, sa menjëherë pas këtij kontrolli, më 20 gusht 1962, i Lumi i ri ndërroi jetë. Një jetë kaluar në burgje e internime, poshtërime e tortura, për dashuri të Krishtit e të njerëzve, që ia kishte besuar.

Dekreti për martirizim

Më 1 dhjetor 2016 Papa Françesku autorizoi Kongregatën për Çështjet  e Shenjtorëve të shpallë dekretin lidhur me martirizimin e Teofilo Matulionis. Flet kardinali Angelo Amato:

“Martirium propter aerumnas carceris, do të thotë se vdekja u shkaktua nga vuajtjet e burgimit. Sëmundjet e pafundme në burgje, në kampet e përqendrimit, në arrestet shtëpiake, ia shkurtuan jetën, duke ia mposhtur shëndetin këtij bariu të panënshtruar, që duroi poshtërime  të padrejta e çnjerëzore, vuri akoma në dukje kardinali Amato:

“Ishte hiri i Krishtit, që i dha forcë e guxim për të mbetur i patundur në fe”. Këtë qëndrim ndaj Ungjillit, e dëshmuan shumë njerëz që panë në të “Njeriun e vërtetë të Zotit”. Deri persekutuesit u detyruan ta pranojnë heroizmin e tij. Kur komandanti rus mori vesh se kishte vdekur, brohoriti padashur: “Ishte burrë i vërtetë!”. Por menjëherë pas, përfaqësuesi i sistemit gjakatar vijoi, jo pak i shqetësuar: “Nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen Vatikani ta shpallë shenjt, sepse 'ishte shenjt i vërtetë'. E, në këtë rast, varri i tij do të bëhet cak shtegtimesh". Parashikimi i kryqëzuesit për të kryqëzuarin u vërtetua!

Ky i sotmi është Lumnimi i parë në trojet e Lituanisë, e edhe i pari i një martiri lituan, kremtuar tridhjetë vjet pas lumnimit të Giorgio Matulaitis, kryesuar nga Gjon Pali II në Shën Pjetër, me rastin e 600 vjetorit të kristianizimit të  Lituanisë.

Lumnimi u kremtua në Ditën kombëtare të të rinjve, të cilët panë konkretisht në figurën e të Lumit të ri, modelin e njeriut plot me besim, forcë, burrëri, me bindjen se Zoti është gjithnjë pranë atij, që vuan e mundohet nga dashuria për të Kryqëzuarin, i cili nuk e harron kurrë kë flijon gjithçka për Të.








All the contents on this site are copyrighted ©.