2017-06-24 14:38:00

Papa Françesku: ikona e misionarëve është Madalena, grua në ‘dalje’


Maria Madalena, apostulle e apostujve. Kështu e quajti Papa dishepullen, që në agun e Pashkëve, pasi u takua me Krishtin e ngjallur, ua kumtoi lajmin e mirë edhe dishepujve të  tjerë. Ajo kërkonte Krishtin e vdekur. E gjeti të gjallë. Kjo, “ikona”, që Papa Françesku ua propozoi sot rregulltarëve reksureksionistë, institut i lindur në Poloni, me misionin për t’u shërbyer emigrantëve polakë në Francë.

Madalena e apostujt janë gjithnjë në dalje, dinë të rrezikojnë - u kujtoi Papa rregulltarëve - duke i nxitur që, në një botë të trazuar e agresive, ta ndjejnë veten të çliruar, për të çliruar; të lindur për një jetë të re, për të lindur jetën e  re në shpirtin e të gjithë atyre, që takojnë gjatë udhës. Vëllezërit, që na jepen  - kujtoi Ati i Shenjtë - jo ata, që i zgjedhim, duke refuzuar vetëvlerësimin, sepse të çon në vdekje.

Përkundrazi - shtoi Papa - duhet ta kujtojmë plot mirënjohje të kaluarën, ta jetojmë me pasion të sotmen e ta përqafojmë të ardhmen plot me shpresë, shpresë e besueshme, siç ka nënvizuar Benedikti XVI. Kujtesë mirënjohëse - shtoi Papa – jo arkeologjike, sepse karizma është gjithnjë burim i ujit të gjallë, jo shishe me ujë të distiluar. Pasion, për ta mbajtur gjithnjë të freskët e të re dashurinë e parë, që është Jezusi. Shpresë, duke e ditur se Jezusi është me ne e u prin hapave tanë, siç u priu edhe hapave të themeluesve.








All the contents on this site are copyrighted ©.