2017-06-23 09:05:00

Solemniteti i Zemrës së Shenjtnueshme të Jezu Krishtit


Solemniteti i Zemrës së Shenjtnueshme të Jezu Krishtit

Ky solemnitet, me datë të lëvizshme, kremtohet të premten e parë pas Korpit të Krishtit, ndërsa e shtuna më pas, i kushtohet Zemrës së Papërlyer të Zojës. Ishte mistikja franceze, shën Margherita Maria Alacoque, lajmëtarja e këtij kulti që, në vitin 1856, Papa Piu IX e shtriu në mbarë Kishën katolike.

Po ç’kuptim ka kjo festë?

Me kultin e Zemrës së Krishtit, Kisha katolike ka për qëllim ta nderojë pikërisht këtë Zemër, një nga organet-simbol të natyrës njerëzore të Zotit e cila, për lidhjen e ngushtë me natyrën e Tij hyjnore, ka të drejtën e plotë të adhurimit. Pa harruar edhe dashurinë e thellë të Shëlbuesit për njerëzit, simbol i së cilës është pikërisht Zemra e Tij.

Kur lindi devocioni?

I praktikuar që në lashtësinë e krishterë, e edhe në mesjetë, kulti u përhap në mënyrë të posaçme në shekullin XVII, nga Shën Gjoni Eudes (1601-1680). Por kulmin e arriti me Shën Margherita Maria Alacoque(1647-1690). Festa e Zemrës së Krishtit u kremtua për herë të parë në Francë, ndoshta, në vitin 1685.

Kush ishte lajmëtarja e Zemrës së Jezu Krishtit?

Lajmëtarja e Zemrës së Jezu Krishtit, Shën Margherita Maria Alacoque, murgeshë franceze, hyri më 20 qershor 1671 në Kuvendin e Vizitantineve të Paray-le-Monial (Saone-et-Loire). Këtu e jetoi me shumë thjeshtësi e misticizëm përvojën e saj rregulltare, derisa vdiq më 17 tetor 1690, vetëm 43 vjeçe. Që para se të hynte në kuvend, ishte e pajisur me dhurata mistike,  të cilat u bënë më të shpeshta gjatë jetës së saj rregulltare.

Vegimet

Pati vegime të shumta mistike, por në vitin 1673  u pushtua nga vegimet e mëdha, që e bënë të famshëm emrin e saj. Katër, vegimet kryesore, përveç shumë të tjerave: vegimi i 27 dhjetorit 1673, në festën e Shën Gjonit Ungjilltar, kur Zoti e ftoi të zinte vendin e Shën Gjonit në Darkën e Mbrame e i tha: “Zemra ime hyjnore është aq e apasionuar nga dashuria për njerëzit, sa nuk mund t’i mbajë më të mbyllura flakët e dashurisë së  zjarrtë. Duhet t’i shpërndajë kudo. Të zgjodha, prandaj, ty, që ta realizosh këtë detyrë”.

Herën e dytë, në fillim të vitit 1674, ndoshta në një të premte, Zemra e Krishtit iu duk mbi një fron prej flakësh, më e ndritshme se dielli, më transparente se kristali. Balli i Zotit ishte i rrethuar nga kurora e ferrave, simbol i varrëve shkaktuar nga mëkatet tona. Më pas, akoma në vitin 1674, një të premte pas festës së Korpit të Krishtit, Zoti i u duk rishtas, mbështjellë krejt me dritë, me pesë plagët, nga të cilat dilnin flakë e, sidomos, me kraharorin, që dukej si furrë e ndezur e që linte të zbuluar zemrën e Tij të ëmbël, burim i vërtetë e i këtyre flakëve.

Mbi cilin vegim bazohet festa?

Vegimin e katërt mistik e pati më 16 qershor 1675, gjatë tetëditshes së Zemrës së Krishtit. Zoti i tha se ndjehej keq nga pabesitë e atyre që, megjithatë, e quanin veten besimtarë e i kërkoi t’i kushtohej një festë e veçantë, për të nderuar Zemrën e Tij. E, për ta përhapur këtë festë, ngarkoi jezuitin, shën Claude de la Colombiere (1641-1682), epror i shtëpisë së afërt të Jezuitëve në Paray-le-Monial.

Në dy ceremonitë e para për nder të Zemrës së Krishtit, kremtuar në Paray. më 20 korrik 1685 dhe më 21 qershor 1686, ishte e pranishme edhe Shenjtja mistike.

Lajmëtari i Zemrës së Jezu Krishtit në Shqipëri

Revista e parë fetare në Shqipëri, “Elçija e Zêmers sê Jezu Krisctit”, që duke filluar nga viti 1914 do të titullohej “Lajmëtari i Zêmers së Jezu Krishtit”, u bë edhe lajmëtare e parë e Zemrës Hyjnore ndër shqiptarë.

Nisi të botohej që më 1891 nga etërit jezuitë. Kjo revistë fetare kulturore u shkrua në dialektin gegë me alfabetin e shkrimtarëve të vjetër të Shqipërisë veriore dhe atë italian deri më 1909, pastaj vazhdoi me alfabetin e Manastirit.

Pati edhe një Shtojcë kulturore që vijoi të botohej nga viti 1909 deri më 1913. Më 1914-1916 shtojca u botua më vete me titull “Përparimi” - titull ky që shpreh simbolikisht qëllimin themelor të veprimtarisë së Kishës Katolike në Shqipëri.

Drejtori i parë i revistës ka qenë Atë Jak Jungu (1891-1896). Penat më të forta të “Lajmëtarit” kanë qenë: Imzot Lazër Mjeda, Imzot Luigj Bumçi, Don Ndue Bytyqi, Filip Shiroka, Dom Pashk Babi dhe pothuajse të gjithë etërit jezuitë, ndër të cilët shquhet pena e themeluesit të shkollës letrare jezuite, Atë Anton Xanonit.

Kështu, në një kohë pushtimi, Zemra e Krishtit i kapërceu kufijtë e ndaluar e bë një nga ngushëllimet kryesore për popullin e vogël, që rënkonte nën thundrën e një pushtimi pesëqindvjeçar, duke u përpjekur ta ruante besën, dhënë njërit nga Apostujt kryesorë të Krishtit, Shën Palit.








All the contents on this site are copyrighted ©.