2017-06-23 12:51:00

Papa Françesku në Shën Martë: të bëhemi të vegjël, për ta dëgjuar zërin e Zotit


Për ta dëgjuar zërin e Zotit duhet të bëhemi të vegjël. Papa Françesku e kujtoi këtë në homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, gjatë kremtimit të solemnitetit të Zemrës së Krishtit.

Ati i Shenjtë mori shkas nga Leximi i parë i liturgjisë së sotme, nga Libri i Ligjit të Përtërirë, në të cilin Moisiu thotë se Zoti na ka zgjedhur për të qenë populli i Tij, i ndryshëm nga të gjithë popujt e tokës. Papa u përqendrua në dy fjalë, që përmbahen në këtë pjesë biblike: zgjedhja dhe vogëlsia. Nuk jemi ne, që zgjodhëm Zotin, por është Hyji, që u bë “i burgosuri ynë”:

“U lidh me jetën tonë, nuk mund të shkëputet prej saj. Luajti fort! E mbetet besnik në këtë qëndrim. Jemi zgjedhur me dashuri e ky është identiteti ynë. ‘Unë e kam zgjedhur këtë fe, e kam zgjedhur….’: jo, ti nuk ke zgjedhur asgjë. Është Zoti që të ka zgjedhur ty, të ka thirrur e është lidhur me ty. Kjo është feja jonë. Nëse nuk e besojmë këtë, nuk e kuptojmë mesazhin e Krishtit, nuk e kuptojmë Ungjillin”.

Përsa i përket fjalës së dytë, Papa Françesku kujtoi se Zoti, siç thotë Moisiu, e zgjodhi popullin e Izraelit, sepse ishte “më i vogli ndër popujt”:

“U dashurua me vogëlsinë tonë e prandaj na zgjodhi. E Ai zgjedh të vegjlit: jo të mëdhenjtë, të vegjlit. E Ai u zbulohet të vegjëlve: ‘Ua ke fshehur këto gjëra të diturve e të urtëve dhe ua ke zbuluar të vegjëlve’. Hyji u zbulohet të vegjëlve: nëse dëshiron të kuptosh diçka nga misteri i Jezusit, ule veten, bëhu i vogël. Prano se je asgjë. E jo vetëm i zgjedh dhe u zbulohet të vegjëlve, por ata edhe thërret: ‘Ejani tek unë, ju të gjithë, që jeni të lodhur e të shtypur: unë do t’ju ngushëlloj’. Ju, që jeni më të vegjlit, për shkak të vuajtjes e të lodhjes… Ai zgjedh të vegjlit, u zbulohet të vegjëlve e thërret të vegjlit. Po të mëdhenjtë nuk i thërriska? Zemra e Hyjit është e hapur, por të mëdhenjtë nuk arrijnë ta dëgjojnë zërin e Tij, sepse janë plot me vetveten. Për ta dëgjuar zërin e Zotit, duhet të bëhemi të vegjël”.

Vetëm kështu, vijoi Papa Françesku, e kuptojmë misterin e Zemrës së Krishtit, që nuk është thjesht fugure për të devotshmit. Zemra e shporuar e Krishtit është zemra e fesë sonë, sepse përmes kësaj rruge, Ai, që është Zot, u bë i vogël e u flijua deri në Kryq. U përul, që  lavdia e Zotit të bëhej e dukshme. Nga korpi i Krishtit, shporuar nga ushta e ushtarit, doli “gjak e ujë”, kujtoi Ati i Shenjtë, e ky është misteri i Krishtit në kremtimin e sotëm:

“A besojmë në Zotin? Po. Po. Edhe në Jezusin… Jezusi është Zot? Po. Po ky është misteri! Kjo është dukja, kjo është lavdia e Hyjit. Besnikëria në zgjedhje, në lidhje e në vogëlsi, edhe për vetveten: bëhet i vogël, flijohet. Problemi i fesë është thelbi i jetës sonë: mund të jemi shumë e shumë virtuozë, por me pak, ose aspak fe. Duhet të nisemi prej këndej, prej misterit të Jezu Krishtit, që na ka shëlbuar me besnikërinë e Tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.