2017-06-23 17:25:00

Nunci Zenari takohet me Papën; do t’u çoj ledhatimin e tij sirianëve. Duhet të marrë fund dhuna


Vijon breshëria e raketave kundër pozicioneve xhihadiste të Shtetit Islamik në Siri: nisen nga anijet ushtarake ruse në Mesdheun lindor e godasin ngulimet e provincës siriane të Hanna-s. Ndërkaq, në veri perëndim, arrijnë ndihmat e para humanitare, pas izolimit dyvjeçar të civilëve. Po zgjidhja politike nuk duket akoma në horizontet e mjegullta siriane, ndërsa viktimat civile shtohen: më se 470, që nga fillimi i majit, sipas burimeve të opozitës. Edhe për këtë emergjencë humanitare i foli sot Papës Nunci apostolik në Siri, kardinali Mario Zenari, në Romë për Plenaren e Roaco-së. E intervistuam:

Shkova te Papa i shoqëruar nga 23 milionë sirianë-katolikë, kristianë, myslimanë e  besimtarë të feve të tjera - që kanë një nderim të thellë për Françeskun, të cilin e falënderoj për gjithçka bën. E, solla me vete edhe një kërkesë të madhe: për pushimin e dhunës e rikthimin e paqes. Papa jo vetëm lutet, por edhe vepron në nivel ndërkombëtar, me fjalë e me ndihma konkrete. Duke më përshëndetur, nësa po kapërceja pragun e portës, më tha: “Çoju një përkëdhelje nga ana ime të gjithë sirianëve, që vuajnë”. Ishte ndihmë materiale konkrete, kjo përkëdhelje! Për fat të keq, kjo është një nga përparësitë më urgjente, sepse më se gjysma e spitaleve ose e instituteve spitalore, janë jashtë përdorimi, të goditur nga lufta. I bëjmë thirrje bujarisë të të gjithëve!

Sot ka të dhëna të reja për viktimat civile; në muajin e fundit, më se 400 akoma - nën bombat - sepse në Siri vijojnë bombardimet, po e rikujtojmë. Tani për tani flitet vetëm për bombardimet kundër xhihadistëve të të ashtuquajturit Shtet Islamik. Ju mendoni se është ende larg rrugëzgjidhja politike ndërmjet sirianëve?

Për fat të keq, në planin e konfliktit, lajmet që arrijnë tani nga fronti lindor, nga Raqqa e nga Deit Ezzor, janë shumë shqetësuese… Njerëzit duan të dalin, por nuk munden… ndoshta do të duhej të aktivizoheshin korridoret humanitare. E, përsa i përket rrugëzgjidhjes politike, mendoj se, së pari, duhet të pushojë dhuna... Marrëveshja e Astanës e 4 majit të kaluar, teorikisht ishte shumë premtuese, por kur bëhet fjalë për zbatim praktik, atëhere lindin problemet. E përsëris. Gjëja e parë që duhet arritur është përfundimi i dhunës. Për rrugëzgjidhjen politike, këtë do ta shohim, sepse është ende shumë larg: duhet rrahur gjithnjë e njëjta gozhdë, ajo e bisedimeve të Gjenevës…Por, ama, nuk duhet ta fshehim, kur realiteti është i ndërlikuar. Në Siri, dy javë më parë, një sirian më fliste, jo pak i pezmatuar, për numrin e flamujve të huaj, që valëviten nën qiellin  Sirian: ja pra, ka flamuj, armë, ushtarakë të të gjitha ngjyrave, prej këndej shihet qartë se kemi të bëjmë me një konflikt shumë të ndërlikuar, megjithatë, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare duhet arritur një rrugëzgjidhje politike. Por, e përsëris, hapi i parë duhet të jetë ai i ndalimit të dhunës, për të krijuar kushtet e hyrjes së ndihmave humanitare.

Kur luteni për Sirinë, çfarë thoni?

Në fund të fundit i lutemi të gjithë Zotit të Abrahamit, të Isakut e të Jakobit; lutemi për paqen, dhurata më e dëshiruar në këtë zonë, në këtë pjesë të Lindjes së Mesme.   








All the contents on this site are copyrighted ©.