2017-06-23 19:18:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 12-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 12-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare. Fjala e Zotit e kësaj së diele na fton të mos druajmë e të lirohemi nga çdo frikë. Programi kushtuar liturgjise së Fjalës së Zotit e dielës së 12-të gjatë vitit kishtar ‘A’...

Jezusi pati zgjedhur të Dymbëdhjetët, e një ditë i nisi për të çuar Fjalën e tij në mbarë botën. Mirëpo, para se t’i dërgonte, i përgatiti, i mësoi. Mësimet e tij janë mbledhur nga Mateu ungjillor në Fjalimin apostolik, të quajtur kështu sepse u drejtohet Apostujve, e quhet edhe Fjalimi misionar, sepse i përgatiste për mision. Kësaj së diele kemi një fragment, marr nga pjesa qendrore e fjalimit. Kësaj së diele dëgjojmë një pjesë të fjalimit që Jezusi ua drejton apostujve ndërsa i dërgon në mision (krh Mt 10,5-42): janë fjalë frymëzuese dhe rregullore që vlejnë për të krishterët e çdo kohe, që janë të thirrur ta dëshmojnë Ungjillin në jetën e njerëzve.

Po atë që Jezusi u tha apostujve, a që vlen edhe për ne? Në rend të parë, Jezusi i nxiti të Dymbëdhjetët të hyjnë në fushën e misionit, pra të shkojnë në mision pa frikë. Ftesës për të pasur guxim është e domosdoshme, kur kemi parasysh brishtësinë e zemrës njerëzore. Pastaj, Jezusi na fton të kemi besim të plotë, gjithmonë, në Hyjin, edhe atëherë kur gjendemi në mesin e vështirësive e madje të përndjekjeve. Pra, Jezusi, në Ungjill, na fton të mos kemi frikë prej njerëzve që mund të na bëjnë edhe keq, sepse Hyji Atë kujdesët në mënyrë të veçantë për çdonjërin prej nesh.

Jeremia profet, në Leximin e parë të liturgjisë së sotme, denoncon ata që e kritikojnë, ndërsa e paralajmëron popullin për të keqen, që do ta gjejë: pushtimi i Jeruzalemit e syrgjynosja e tij në Babiloni.

Vetëm besimi në Zotin i dha forcë profetit për të vazhduar, pavarësisht nga përqeshjet e njerëzve, prandaj i paraprin skenës së Jezusit, që në fragmentin e Ungjillit nga Mateu, u thotë dishepujve të vet të mos kenë frikë. Edhe nëse persekutohen për shkak të kumtimit të Krishtit, siguria u vjen nga e vërteta që shpallin: Jezusi vdiq e u ngjall. Qendra e mesazhit të krishterë mund të çojë edhe në përqeshje e në persekutim, por dishepujt e Krishtit nuk duhet të shkandullohen, sepse këtë e përjetuan edhe profetët e vetë Jezusi.

Në Ungjillin e kësaj së diele jepet garancia për një fitore, që nuk është e kësaj bote: Kisha lind nga gjaku i martirëve. Feja e të krishterëve bazohet në paradoksin e madh: edhe kur konsiderohen asgjë nga bota, askush nuk humbet para syve të Zotit, sepse Krishti premton: “Kushdo pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor”. Ftesës ungjillore për të mos kemi frikë, liturgjia e kësaj së diele i shton dëshminë e Jeremisë profet dhe reflektimet mbi “dhuratën e hirit” të Zotit për çka flet shën Pali.

                        Liturgjia e Fjalës

Leximi parë: Jer 20,10-13.

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Tha Jeremia: I dëgjoja shpifjet e shumëve, tmerr gjithkund përreth: ‘Paditeni! Le ta padisim!’ Të gjithë dashamirësit e mi vërenin rënien time: ‘Ndoshta do të lejojë të gënjehet! Do të ngadhënjejmë mbi të, atëherë do të hakmerremi!’ Por me mua është Zoti si trimi i trimave, prandaj ata që më përndjekin, do të rrëzohen e s’do të ngadhënjejnë: turpi do t’i mbulojë se s’do t’ia dalin qëllimit, turp e përhershme që kurrë s’do të shlyhet! O Zoti i Ushtrive, ti, o sprovuesi i të drejtit, që ia sheh veshka e zemër, bëj ta shoh hakmarrjen tënde mbi ta, sepse në dorën tënde e lashë çështjen time! Këndojini Zotit, lëvdojeni Zotin, që e çliroi shpirtin e të varfrit nga dora e keqbërësve.  Fjala e Zotit!

Psalmi 69

Ref: Më dëgjo, o Zot, në dashurinë tënde të madhe. 
——————————————————————– 
E ndëshkova veten me agjërim, 
por kjo m’u kthye në çnderim; 
për petk vesha grathoren, 
përrallë e lodër u bëra për ta. 
Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, 
pijanecët po më vënë në bisht të lahutës. 
——————————————————————- 
E pra, unë ty të lutem, o Zot, 
në kohën e përshtatshme, o Hyj, 
më vështro pashë dashurinë tënde, 
pashë të vërtetën e shpëtimit tënd! 
Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, 
shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe, 
—————————————————————— 
Le të shikojnë të përvuajturit e le të gëzohen; 
kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet. 
Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, 
s’i përbuz të vetët që janë të robëruar. 
Le ta lavdërojnë qielli e toka, 
detet dhe gjithçka lëviz në to. 
—————————————————————–

Leximi dytë: Rom 5, 12-15

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan… ‑ në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj, prapë vdekja mbretëronte që prej Adamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte.

Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkatin. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë për hir të një Njeriu të vetëm ‑ Jezu Krishtit. Fjala e Zotit.

Aleluja! 
Shpirti I së Vërtetës do të dëshmojë për mua, Por edhe ju do të dëshmoni për mua, thotë Krishti. 
Aleluja!

Ungjilli Mt 10, 26-33.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënëseve të vet: Mos ua kini, pra, frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet. Çka ju them në errësirë, thuajeni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet! Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta 
vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin. A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të numëruara! Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!” 
“Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.” Fjala e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.