2017-06-23 09:10:00

Dita e shenjtërimit meshtarak. Kard. Stella: meshtarët të rizbulojnë identitetin e domethënien e shërbimit ndaj popullit të Zotit.


23 qershori, dita kur kremtohet Zemra e Krishtit, përkon me ditën e shenjtërimit meshtarak, rast për t’u lutur e për t’u bashkuar e, akoma më shumë, për të rizbuluar e për të rigjallëruar dhuratën e meshtarisë. Për këtë flet shumë shpesh Papa, i cili dëshiron barinj me zemrën e Krishtit në kraharor, në shërbim të popullit të Zotit, siç ishin gjatë shekullit të kaluar  dy priftërinjtë italianë, don Mazzolari e don Milani, kujtimin e të cilëve shkoi ta nderojë më 20 qershorin e kaluar, në  Bozzolo e Barbiana. E nënvizon këtë, prefekti i Kongregatës për Klerin, kardinali Beniamino Stella, në intervistën me gazetën vatikanase L’Osservatore Romano, realizuar nga Nicola Gori, me titull: “Mëkatar e peshkatar”:

Ç’kuptim ka kjo ditë?  

Para së gjithash është mundësi për një kohe lutjeje e reflektimi, që paraqet së paku tre aspekte. Së pari, pikërisht qendërsinë e lutjes: duke u lutur së bashku. Meshtarët kujtojnë se shërbesa e tyre nuk rrënjoset në gjërat që duhen bërë e se, pa lidhje personale me Zotin, rrezikohen të zhyten në punë aq, sa ta harrojnë Jezusin. Aspekti i dytë është zbulimi i vlerës së dioqezanitetit, sepse nuk mund të jesh meshtar i pavarur, i vetëm. Je gjithnjë pjesë e familjes së meshatarëve, rreth ipeshkvit, duke përtëritur angazhimet e duke kapërcyer keqkuptimet, të cilat shpesh herë i pengojnë meshtarët të jetojnë me frymën e bashkimit e të harmonisë në fushën baritore. Së fundi, përmes çasteve të reflektimit dhe të verifikimit, kjo ditë synon t’i ndihmojë meshtarët të rizbulojnë thelbin e identietit të tyre dhe domethënien e shërbimit të tyre ndaj popullit të Zotit.

A mund të na ravijëzoni një figurë modelore bariu, sipas shërbesës papnore të Françeskut?

Duke iu drejtuar meshtarëve ose duke folur për shërbesën e tyre, Papa, pak nga pak, e ka ravijëzaur tashmë portretin e mirëfilltë të priftit. Modelin e bariut, që ecën në mes të popullit të vet, që merr pjesë në jetën e tij, në të përpjeta e të tatëpjeta, që preket thellësisht, kur e sheh të plagosur, ndalet dhe e ia lyen varrët me vajin e Ungjillit, duke u munduar t’ia shndërrojë mundimin në gëzim. Edhe kohët e fundit Papa shprehu një nga shqetësimet tij të mëdha: Françesku druhet se meshtarët mund të bien në tundimin e të jetuarit të shërbesës së tyre meshtarake si detyrë zyrtare, si të ishin “klerikë të shtetit”, ose funksionarë të kishës. Po popullit të Zotit i dalin e i teprojnë funksionarët e shtetit. Nuk ka nevojë për të tjerë. Populli i Zotit ka nevojë për bariun, që di ta dëgjojë, ta mirëpresë, ta shoqërojë, të bëhet samaritan i mirë për atë, që jeton në tehun e jetës. Kohët e fundit Ati i Shenjtë përdori një shprehje të fortë për figurën e priftit: “Ndërmjetësues i njeriut pranë Zotit e jo funksionar, që ka frikë se mund t’i ndoten duart”. Prifti - sipas Papës - është njeri i lidhur me Atin e qiellës e me njeriun e tokës, shërbyes i mëshirës, që di të ngushëllojë e të prijë, të bëjë punë të saktë baritore në të gjitha situatat e të ndezë dritëza edhe në ato jetë a rrethana, ku gjithçka duket e humbur pa kthim.

Më se një herë Papa ka folur për nevojat e udhës së formimit e të pjekurisë së meshtarëve. Si mund të realizohet kjo?

Sot ndjehet posaçërisht nevoja e formimit të priftërinjve, edhe ata dishepuj të thirrur të ecin pas Krishtit: duhet të formohen nga fjala e Tij, e zemra e tyre të përkojë plotësisht me atë të Bariut të Mirë. Duhet ngulmuar shumë në cilësinë e formimit ndër seminare, gjë që e shqetëson fort Kongregatën për Klerin. Kemi nevojë për seminare, që të jenë vende të formimit njerëzor, shpirtëror, akademik e baritor, e kemi nevojë edhe për formues të përgatitur, që dinë t'u ofrojnë kandidatëve mundësinë e pjekurisë psikofizike, të lidhjes së ngushtë me lutjen, të frymës komunitare e vëllazërore, të aftë për të dalë nga vetja e për të hyrë plotësisht në jetën baritore.

Si mund të jetë një prift a një ipeshkëv mëkatar e njëkohësisht, peshkatar njerëzish?

Në dinamikën e thirrjes për jetë meshtarake, ekziston edhe ky paradoks. Eshtë shumë i dukshëm në thirrjen që Zoti u drejtoi Apostujve. Ai, që thirret, nuk është kurrë i përkryer, e as i pajisur me dhanti të jashtëzakonshme. Jezusi vijon të ndalohet në breg të detit për të zgjedhur peshkatarë, ndërmjet të cilëve, edhe ndonjë tagrambledhës. Të gjithë mëkatarë. Për t’i shndërruar në peshkatarë njerëzish! E për t’u ardhur në ndihmë në ligështitë e tyre, në brishtësinë e tyre njerëzore. Mësohen, kështu, ditë për ditë, të jenë apostuj, jo për merita personale, por pse të zgjedhur nga Zoti, që i thirri e i dërgoi të peshkojnë shpirtra. Në ligështinë e tyre shkëlqen drita e Ungjillit, të cilën ata, mëkatarët, u zgjodhën t’ia çojnë mbarë botës, duke hedhur në detin e njerëzimit, rrjetat e peshkatarit: mëkatarë e peshkatarë njëherësh! Nëpër shekuj…








All the contents on this site are copyrighted ©.