2017-06-22 13:30:00

Papa pret çiftin mbretëror të Holandës, në Vatikan për skeptrin e Uiliamit III


Zgjati 35 minuta biseda private e Papës Françesku me mbretin Uilem-Aleksandër dhe me mbretëreshën Maksima të Holandës. Lartmadhëritë e tyre u pritën në audiencë së bashku me delegacionin prej 15 vetësh, ndër të cilët edhe ministri i jashtëm, ai për tregtinë me jashtë dhe ministrja për bashkëpunimin ndërkombëtar të Vendeve të Ulëta.

Në një atmosferë të përzemërt e familjare, Papa dhe mbretëresha, e cila është me origjinë argjentinase, shkëmbyen fjalë në spanjisht. E mbreti e mbretëresha qëndruan me Atin e Shenjtë edhe për disa minuta pasi Papa u përshëndet me anëtarët e delegacionit, në daljen e bibliotekës papnore. Gjatë bisedës, nënvizon nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit, u shkëmbyen ide mbi “disa tematika me interes të përbashkët, si kujdesi për ambientin dhe lufta kundër varfërisë... Vëmendje të veçantë iu kushtua fenomenit të emigracionit, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëjetesës paqësore ndërmjet kulturave të ndryshme, si edhe atë të impenjimit dypalësh për paqen e sigurinë globale... Së fundi, nuk mungoi reflektimi i përbashkët rreth perspektivave të projektit evropian”.

Pas bisedës private në Sallën e Fronit të Vogël, mbreti i ofroi Papës një kompozim të mrekullueshëm tulipanesh të bardha e të verdha, siç janë ngjyrat e Vatikanit, dhe i tha: “kjo është dhuratë nga Holanda, jo vetëm për Pashkë. Nëse i mbillni do të rrojnë më shumë e populli hollandez do t’jua dijë për nder”. Kujtojmë se çdo vit, Holanda çon lule e kompozime lulesh për zbukurimin e Sheshit të Shën Pjetrit, në përfundim të Javës së Madhe. Ati i Shenjtë dhuroi një medalje, ku duket Shën Martini i Tours, që i dhuron mantelin e vet një të varfëri, si edhe kopjen e mesazhit për Ditën e Paqes e tre dokumentet papnore “Evangelii gaudium”, “Amoris laetitia” dhe “Laudato si’”.

Në orën 12.30, në Bibliotekën Apostolike, çiftit mbretëror holandez iu dorëzua skeptri, apo Shkopi i Komandimit, që i atribuohet mbretit Uiliam i Oranzhit apo Uiliam III i Anglisë. Katolikët spanjollë ia patën marrë, pas fitores mbi kryengritësit holandezë protestantë, në betejën e Mookerheide, në vitin 1574. Shkopi, që mban stemën e Uiliamit të Oranzhit, jepet për përdorim nga kuvendi i jezuitëve katalanë në Sant Cugat dhe do të qëndrojë në muzeun kombëtar ushtarak holandez në Soesterberg, nga prilli deri në tetor 2018.

Para se të takohej me Papën Françesku, çifti mbretëror holandez vizitoi kishën e Frisonëve, kushtuar shën Mikelit e shën Manjit. Kjo kishë, që daton në vitin 1140, gjendet në vendin ku në shekullin VIII, takoheshin shtegtarët e ardhur nga Vendet e Ulëta. Mbreti e mbretëresha u pritën nga rektori, imzot Hurkmans, i cili, çdo javë, kremton meshën në gjuhën holandeze. Kisha është simbol i historisë shekullare të përbashkët ndërmjet Holandës dhe Selisë së Shenjtë, theksuar edhe nga vizita e sotme tek Papa. 








All the contents on this site are copyrighted ©.