2017-06-22 14:39:00

Papa: letër urimi Fortlumturisë së Tij Youssef Absi, zgjedhur Patrik i Antiokisë së Greko-melkitëve


Në një letër, drejtuar Fortlumturisë së Tij, Youssef Absi, Patrik i ri i Antiokisë së Greko-melkitëve, Papa shpreh kënaqësinë për këtë zgjedhje të

Sinodit të ipeshkvijve. Ju përgëzoj - shton Françesku në letër - e ju siguroj lutjen time, që Krishti, Bariu i mirë, t’ju ndihmojë për kryerjen e misionit, të besuar.

Papa cek edhe situatën delikate të Kishës greko-melkite, në një çast kur  bashkësitë e krishtera duhet ta dëshmojnë, në kushte shumë të vështira, besimin e tyre në Krishtin e vdekur e të ngjallur. Në këto kohë - vijon letra e Papës - barinjë ftohen të jenë të bashkuar, solidarë e transparentë para popullit, që vuan.

Letra papnore përfundon me besimin se Fortlumturia e Tij do të jetë në harmoni me etërit e Sinodit, me të cilët do të punojë me urti ungjillore,  duke qenë jo vetëm “Pater et Caput” në shërbim të besimtarëve të Kishës Greko-melkite, por edhe dëshmitar besnik e i mirëfilltë i Krishtit të Ngjallur. 

Kujtojmë se Patriku i ri u zgjodh nga  Sinodi i Ipeshkvijve të Kishës Greko-melkite, mbledhur në Ain Traz (Liban). Fortlumturia e Tij Youssef Absi, i Shoqërisë së Misionarëve të Shën Palit, deri tani ishte kryeipeshkëv titullar i Tarsit të Greko-melkitëve, pranë Kuries patriarkale të Damaskut.








All the contents on this site are copyrighted ©.