Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa: “I care”, si Don Milani, të kujdesemi për të tjerët, por pa naivitet

Papa kremton Meshën në Shën Martë

22/06/2017 13:48

Bariu duhet të jetë i apasionuar, të dijë të dallojë të mirën e të dijë edhe ta denoncojë të keqen. Këtë pohoi Papa Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke u ndaluar tek figura e Shën Palit Apostull, për të vijuar me atë të Don Milanit. Ashtu si famullitari i Barbianës - kujtoi Papa - duhet të kujdesemi për të afërmin, por pa rënë në qendrime naive:

“Bariu i mirë jep jetën për delet e veta”. Papa Françesku e mori shtytjen për homelinë, nga Leximi i Parë, shkëputur prej Letrës II të Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve - për t’u ndaluar, më pas - tek karakteristikat që duhet të ketë bariu. E gjeti pikërisht tek Shën Pali figurën e bariut të vërtetë, që nuk i braktis delet e veta, siç do të bënte, për shembull, rrogtari. Cilësia e parë, që theksoi, është të jesh i apasionuar. I apasionuar deri në atë pikë, sa t’u thuash njerëzve të tu, popullit tënd: “Unë kam për ju një farë xhelozie hyjnore”. Është hyjnisht xheloz - komentoi Papa.

Bariu i vërtetë di ta dallojë të mirën, e di edhe të ruhet nga joshja e së keqes. Zemra e tij është aq e mbushur me pasion për popullin, sa të arrijë gati-gati në “marrëzi”. E ky - shtoi - është tipari që ne e quajmë zell apostolik; nuk mund të jesh bari, pa këtë zjarr që të përvëlon përbrenda. Karakteristika e dytë: bariu - vijoi - duhet të jetë njeri, që di të shqyrtojë, ta dallojë të mirën nga e keqja:

“E di se jeta është plot me joshje. Babai i mashtrimit është joshës. Bariu, jo! Bariu do... Do. Ndërsa gjarpri, ati i rrenës, ziliqari, është joshës. Kërkon ta largojë bariun nga besnikëria, sepse kjo xhelozi hyjnore e Palit synon ta çojë popullin drejt Dhëndrrit të vetëm. Në historinë e shëlbimit, në Shkrimet Shenjte, e vërejmë shpesh herë largimin nga Zoti, pabesinë ndaj Zotit, idhujtarinë, si të ishin pabesi  martese”.

Duhet të dish ta denoncosh të keqen, të mos jesh naiv

Karateristika e parë e bariut, pra, është të jetë i apasionuar, të ketë zell, të jetë zelltar. E dyta, të dijë të shqyrtojë, të dallojë ku janë rreziqet e ku janë hiret… ku është udha e vërtetë e ku shtegu i shtrembër. Kjo, nënvizoi - do të thotë t’i shoqërosh delet gjithnjë: në çaste të bukura e të shëmtuara, e edhe në çastet e joshjes, e t’u prish me durim drejt vathës. Karakteristika e tretë, “aftësia për të denoncuar”.

Apostulli nuk duhet të jetë naiv. “Ah, sa bukur, të shkojmë përpara… Ç’bukuri!... Të festojmë, pra…të gjithë.. gjithçka mund të bëhet…..”. Jo kështu, sepse është besnikëria ndaj dhëndrrit të vetëm, Jezusit, për t’u mbrojtur. E Ai di edhe të dënojë; duhet thënë kjo ‘jo’, ashtu si ia thonë prindërit fëmijës, kur nis të lëvizë e, pa u ndjerë fare, shkon te priza elektrike për të futur gishtat: “Jo, kjo jo! Është e rrezikshme!”. Më vjen gjithnjë në mendje ajo “tuca nene” (mos prek asgjë), që ma thoshin prindërit e gjyshërit, kur prekja pikërisht atje, ku më kishte zënë pritë rreziku.

Të kujdesemi për të tjerët, por pa naivitet, siç bënte Don Milani

“Bariu i Mirë - vijoi Papa - di të denoncojë me emër e mbiemër, ashtu siç bënte Shën Pali". Françesku u rikthye, me kujtime, tek vizita në Bozzolo e Barbiana, në vendet - komentoi - e dy barinjve të zellshëm italianë. E, duke folur për Don Milanin, kujtoi atë, që ishte motoja e tij, kur u jepte mësim fëmijëve:

“I care’. Po ç’do të thotë kjo? Ma shpjeguan. Me këtë donte të thoshte 'më intereson'. Mësonte se gjërat duheshin marrë seriozisht, kundër motos, që asokohe ishte në modë 'nuk më intereson', por thënë me një shprehje tjetër, që unë nuk mund ta përdor këtu. E kështu i mësonte fëmijët të ecnin përpara. Kujdes! Kujdes për jetën tënde...  e këtë 'jo, mos e bëj!'”.

Duhet ditur, por, ta denoncosh edhe atë, që i kundërvihet jetës sate. Shpesh e humbasim këtë aftësi për të dënuar e duam t’i çojmë përpara delet me këtë naivitet, që nuk është vetëm foshnjarak, por bën edhe keq. Naivitet kompromisesh, për të tërhequr admirimin ose dashurinë e besimtarëve, duke i lënë të bëjnë atë, që u pëlqen më shumë, që përkon më mirë me interesat e tyre.

Pali Apostull, zelli apostolik i Palit, të apasionuarit, zelltarit: kjo, karakteristika e parë. Njeri - vijoi Françesku - që di të shqyrtojë, sepse e njeh joshjen dhe e kupton mirëfilli se djalli atë punë ka, të joshë - karakteristika e dytë. Njeri, që di t’i dënojë gjërat të cilat u bëjnë keq deleve të tija - karakteristika e tretë. Papa përfundoi me një lutje “për të gjithë barinjtë e Kishës, drejtuar Shën Palit. Iu lut, pra, të ndërmjetësojë para Zotit që të gjithë barinjtë,  e edhe ai vetë, t’i kenë këto tri tipare, që t’i shërbejnë sa më mirë Zotit”.

22/06/2017 13:48