Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

U kremtua funerali i kard. Ivan Dias. Papa: bari i urtë dhe e përzemërt

Kardinali Ivan Dias - RV

21/06/2017 16:00

Sot, në orën 15.00, u kremtua në Bazilikën e Shën Pjetrit, funerali i kardinali Ivan Dias, ish-prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e popujve, por i mirënjohur nga shqiptarët si nunc i parë apostolik në vendin e shqipeve, pas komunizmit, nga viti 1991 në vitin 1997. Kardinali ndërroi jetë të hënën në Romë. Në telegramin e ngushëllimit, Papa Françesku, i cili sot kryesoi ritin e “Ultima Commendatio” dhe atë të “Valedictio”, e kujton qartë kontributin e kryeipeshkvit të atëhershëm Ivan Dias në “rindërtimin shpirtëror e fizik të Kishës së vuajtur në Shqipëri”. Meshën e kremtoi dekani i Kolegjit kardinalor, Angelo Sodano.

Shërbim ndërkombëtar

Pak a shumë gjysëm shekulli në shërbim të Selisë së Shenjtë, duke pasur botën për shtëpi, para se të qëndronte përfundimisht në Romë. Ky ishte kardinali Ivan Dias nga viti 1964, kur hyri në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, e deri më 2006, kur Papa Benedikti XVI i kërkoi të drejtonte dikasterin për Ungjillëzimin e Popujve. U lind në Mumbai, më 14 prill 1936 e ndërmjet viteve 1965-73 shërbeu si sekretar nunciature në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Islandë, Finlandë, Indonezi, Madagaskar, Ishulli Reunion, Ishujt Komore, Mauricius.

Pastaj, deri në vitin 1982, drejtoi seksionin e Sekretarisë së Shtetit për Bashkimin Sovjetik, Shtetet Balltike, Bjellorusinë, Ukrainën, Poloninë dhe Bullgarinë. Ndër impenjimet e tij më delikate kanë qenë marrëdhëniet me Kinën, por edhe me Vietnamin, Laosin dhe Kamboxhien. Më pas e zgjeroi horizontin drejt Afrikës, në veçanti, duke marrë kontakte me Afrikën e Jugut, Namibinë, Lesoton, Svacilandin, Zimbabven, Etiopinë, Ruandën, Burundin, Ugandën, Zambien, Kenian, Tanzaninë. Në vitin 1982 shugurohet ipeshkëv e bëhet pro-nunc apostolik në Gana, Togo dhe Benin.

Shqipëria pas diktaturës

Nga Afrika shkon në Azi (1987-91) si pro-nunc apostolik në Korenë e Jugut e pastaj, kthehet në Evropë, si nunc apostolik në Shqipëri, nga viti 1991 deri në vitin 1997. Për atdheun e shqipeve është çast i veçantë, viti i ringjalljes, viti zero pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik e rënies së dikaturës komuniste. Për popullin kishte ardhur koha të gjente një rrugë të re e për Kishën Katolike, koha për t’u ringritur në këmbë pas një persekutimi të paparë.

Imzot Dias i atëhershëm, që akoma nuk ishte kardinal, u bë zëri i Kishës në Shqipëri dhe i asaj pjese të popullsisë, që e kishte pritur shumë këtë ditë. Më 25 prill 1993, kur në katedralen e Shkodrës, Papa shenjt Gjon Pali II shkoi të shuguronte katër ipeshkvijtë e parë, duke rikrijuar hierarkinë kishtare pas fundit të regjimit komunist, imzot Ivan Dias e përshëndeti me fjalë mallëngjyese: “Atë i Shenjtë – i tha – Shqipëria ju pret me mirënjohje të thellë për miqësinë plot kujdes, që Ju keni treguar gjithnjë ndaj saj, dhe për faktin se i keni qëndruar afër me lutje gjatë natës së gjatë të mundimeve e të peripecive të saj”.

Kthimi në Indi, pastaj, në Romë

Në vitin 1996 mbërrin ora e kthimit në atdhe si kryeipeshkëv i Bombeit. Dhjetë vjet shërbim baritor, gjatë të cilave, në vitin 2001, Papa Vojtila i jep purpurin kardinalor. U kthye në Romë me kërkesën e Benediktit XVI, i cili e emëroi prefekt të Propaganda Fide, detyrë, që kardinali Dias e kreu deri në maj 2011. Gjatë viteve të fundit në Romë, lufta diskrete me sëmundjen që e mundonte, me atë stil “marian”, me të cilin e kujtoi në një intervistë për Asia News, pasardhësi i tij në Kishën e Mumbait, kardinali Oswald Gracias.

Me vdekjen e kardinalit Dias, Kolegji kardinalor përbëhet nga 220 kardinaj, ndër të cilët 116 mund të zgjedhin Papën. 

21/06/2017 16:00