2017-06-21 11:47:00

Papa Françesku: dëshmia e shenjtorëve na ndihmon të shkojmë kundër rrymës


Shenjtorët janë njerëz, të cilët, para se të arrinin në lumninë e Qiellit,  kaluan nëpër të njëjtën udhë, mbartën të njëjtat barrë të rënda, si ne. Jetuan, pra një jetë normale, me gëzime e me dhimbje, me dëshpërime e shpresa, por kur njohën dashurinë e Zotit, e ndoqën atë të Lumin me gjithë zemër. E tani na japin mesazhin e tyre e na thonë. “Besojini Zotit, sepse Zoti nuk të zhgënjen kurrë!. Është mik i mirë, gjithnjë përkrah nesh!”. Kështu, me dëshminë e tyre,  na inkurajojnë të mos kemi frikë as kur Zoti na fton të shkojmë kundër rrymës. Kështu u shpreh sot Papa në audiencën e përgjithshme, gjatë përshëndetjes drejtuar shtegtarëve të gjuhës arabe.

Të krishterët, në betejën kundër së keqes, nuk dëshpërohen. Krishterimi kultivon një besim të patundur: nuk beson kurrë se forcat negative e shkatrrimtare  mund të ngadhënjejnë. Fjala e fundit e njeriut mbi historinë, nuk është urrejtja, nuk është lufta – theksoi më pas Papa gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme - duke shtuar se në çdo çast të jetës na ndjek e na mbron dora e Zotit. E edhe prania e urtë e të gjithë besimtarëve, që na paraprinë nën shenjën e fesë (Kanuni Romak). Ekzistenca e tyre na kujton, sidomos, se jeta e krishterë nuk është ideal i paarritshëm. E edhe na ngushëllon: nuk jemi vetëm! Kisha përbëhet nga një mori vëllezërish, shpesh të paemër. Të cilët na paraprinë e, për virtyt të Shpirtit Shenjt, janë të pranishëm në ngjarjet e atyre, që vijojnë shtegtimin mbi këtë tokë.

Ati i Shenjtë siguroi se Shenjtorët, që janë në qiell, i ndjekin besimtarët, ende mbi tokë, që nga Sakramenti i Pagëzimit, te ai i Martesës e i Vajimit. E, duke u ndaluar tek Sakramenti i Martesës, theksoi: “Jeta martesore vijon përgjithmonë. O përgjithmonë, o kurrë! Nëse mendon se nuk mund të jetë përgjithmonë, mos u marto fare!”.

Kur dy të fejuar e kurorëzojnë dashurinë e tyre me Sakramentin e Martesës, shenjtorëve u drejtohet përsëri, për ta, këtë herë si çift - lutja për ndërmjetësim. E kjo lutje bëhet burim besimi për të rinjtë, që nisen në shtegtimin e jetës bashkëshortore. Kush do me të vërtetë, ka guximin të thotë “përgjithmonë” – “përgjithmonë”  - por duke e ditur se dhe në çastet më të vështira, duhet guximi për t’i lartuar sytë drejt qiellit, duke menduar gjithë të krishterët, që kaluan përmes mundimeve të mëdha e i ruajtën bardh si bora petkat e tyre të Pagëzimit, duke i larë me gjakun e Qengjit.

Të shkojmë kundër rrymës! Pa frikë! Zoti nuk na braktis kurrë: sa herë që kemi nevojë, vjen një nga engjëjt e Tij për të na shpëtuar përsëri e përsëri  e për të na dikuar ngushëllim. Shenjtorët janë figura konkrete - siguroi Papa - gjithnjë të pranishëm mes njerëzve, edhe pse shpesh nuk duken, por gjithsesi, prania e tyre ndjehet fort në jetën tonë, posaçërisht kur kemi nevojë për ndihmë e ngushëllim. Janë pranë nesh, nga Pagëzimi, tek Martesa e Vajimi. E janë, sidomos kur shkojmë kundër rrymës, atje ku na thërret vetë zëri i Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.