2017-06-21 13:43:00

Papa - National Football league: punë skuadre e lojë të ndershme, edhe në jetë


Punë skuadre e lojë të ndershme, në fushën e futbollit e edhe në jetë. Papa Françesku, para audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, u takua, në Sallën e vogël pranë asaj të Palit VI, në Vatikan,me delegacionin e National Football League(Nfi):

“Ashtu si shumë nga ju, edhe unë jam i apasionuar për futbollin – u tha Papa futbollistëve - por në vendin prej nga vij, luhet ndryshe! Falënderoj zotin Anderson për fjalët e tij të mira, përmes të cilave nënvizoi vlerat tradicionale të ndershmërisë e vlera të tjera sportive, që ju dëshironi t’i  personifikoni, si në fushën e lojës, ashtu edhe në jetën tuaj, në familjet tuaja e në bashkësitë tuaja”.

Bota, në të cilën jetojmë, e posaçërisht të rinjtë, kanë nevojë për modele, për njerëz, që tregojnë sesi mund të jepet çka ke më të mirë nga vetja, për t’i bërë të lulëzojnë talentet e dhuruara nga Zoti. E duke e bërë këtë, të tregojnë udhën për ardhmërinë më të mirë të shoqërive tona. Puna në skuadër, loja e ndershme  dhe synimi për të bërë mirë, janë vlera - edhe në kuptimin fetar të fjalës - që i prijnë angazhimit tuaj në fushën e lojës. Por, mos harroni, për këto vlera ka nevojë urgjente edhe jashtë fushës së futbollit, në të gjitha përmasat e jetës së përbashkët.

Janë vlera, që ndihmojnë për të krijuar kulturën e takimit, në të cilën i parashikojmë nevojat e vëllezërve e të motrave dhe i ndihmojmë t’i plotësojnë, duke iu kundërvënë indiferencës, padrejtësisë, pandershmërisë, që na pengojnë të jetojmë si një familje e vetme njerëzore:

“Sa nevojë ka bota për këtë kulturë takimi! Të dashur miq, uroj  që kjo vizitë në Qytetin e Amshuar ta bëjë më të prekshme mirënjohjen tuaj për dhuratat që morët e t’ju frymëzojë t’i ndani bujarisht bashkë, për të ndërtuar, kështu, një botë më vëllazërore. Lutem që bekimi i Zotit, gëzimi  e paqja të jenë me ju e me familjet tuaja!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.