2017-06-21 10:50:00

Me 21 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Luigj Gonzagën, rregulltar


Sot më 21 qershor, Kisha katolike përkujton njërin nga shenjtorët më të njohur: Shën Luigj Gonzagën meshtar rregulltar. Luigji lindi në kështjellën Kastilione të Stivieres, ndërmjet Breshias e Mantovës, në Itali, më 19 mars 1568 nga markezi don Ferrante Gonzaga dhe kontesha Marta Tana di Santena, dy të rinj të sapomartuar, të kthyer pak kohë më parë nga oborri mbretëror i Madridit, ku qenë në shërbim të mbretit Filip e të mbretërshës Elizabeta.

Kur mbushi dymbëdhjetë vjeç mori kungimin e parë nga Shën Karl Borromeo e, më vonë, vendosi të hynte në Shoqërinë e Jezusit, te Jezuitët, por për këtë iu desh të luftonte dy vjet me të atin.

Luigji hoqi dorë nga titulli i markezit në favor të të vëllait, Rudolfit, dhe më 5 nëntor 1585 hyri në noviciat ndër jezuitë, në Romë. Kur këtu shpërtheu epidemia e kolerës, u vu në shërbim të të sëmurëve në spitalin e Shën Sistit.

Një ditë, ndërsa shkonte në spital, pa në rrugë të madhe një të sëmurë që po jepte shpirt. E ngarkoi mbi shpinë dhe e çoi në duar të mjekëve. U shërbeu pa u kursyer të prekurve nga murtaja, që kishte goditur Romën më 1590 dhe që preku edhe atë vetë, duke i shkaktuar vdekjen më 1591, kur ishte vetëm 23 vjeç.

Ndërroi jetë më 21 qershor të vitit 1591. Mbetet model i të riut katolik e u shpall Pajtori i rinisë katolike. Kisha na paraqet shenjtin si shembull mahnitës thjeshtësie e pastërtie ungjillore dhe i fton të rinjtë t’i luten t’i ndihmojë për të lidhur miqësi të ngushtë me Jezusin, i vetmi që mund t’i bëjë të aftë ta përballojnë seriozisht jetën.








All the contents on this site are copyrighted ©.