2017-06-21 14:37:00

Krizë në Venezuelë: Selia e Shenjtë kërkon bisedime serioze


Krizës në Venezuelë i duhet përgjigjur me bisedime serioze e të sinqerta ndërmjet palëve. Kështu theksoi vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Bernardito Auza, në një deklaratë për Asamblenë e përgjithshme të Organizatës së Shteve Amerikane, e cila përfundoi sot në Kankun të Meksikës.

Ndërkaq, në Venezuelë, vijojnë të mungojnë ilaçet dhe ushqimi. Që nga fillimi i prillit, ndeshjet ndërmjet manifestuesve dhe policisë kanë shkaktuar së paku 75 viktima. Kujtojmë se pas vdekjes së presidentit Chavez, presidenti aktual Maduro - ish-shofer autobuzi, që fitoi zgjedhjet vetëm me pak më shumë se 50% të votave – nuk është në gjendje të gjejë zgjidhje ekonomike për Venezuelën.

Në mars të këtij viti, Maduro shpërndau parlamentin, ku opozita kishte fituar dy të tretat që në vitin 2015, e nga ajo kohë, çdo ditë, sheshet mbushen plot me protestues, pavarësisht se presidenti e revokoi vendimin pas tri ditësh. Aktualisht, Venezuela ka treguesin më të lartë të inflacionit në botë (700% këtë vit), ndërsa ekonomia është reduktuar me një të pestën. Tre të katërtat e popullsisë hanë më pak se tri herë në ditë, ndërsa vdekshmëria e fëmijëve është rritur me 30%. Presidenti Maduro ka kundër edhe përkrahësit e tij të dikurshëm.

Kushtet për bisedime serioze

Rruga drejt bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes paqësore mund të gjendet duke ndjekur këshillat e letrës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, dërguar më 1 dhjetor 2016. Në atë dokument, shpjegoi imzot Auza në asamblenë e Organizatës së Shteve Amerikane, Selia e Shenjtë kërkonte nisjen e një udhe që çon drejt zgjedhjeve të lira, si edhe nxiste marrjen e masave për mbërritjen e ndihmave humanitare. Gjithashtu, kardinali Parolin vinte në dukje rëndësinë e lirimit të të burgosurve politikë.

Bisedimet të mbështeten nga bashkësia ndërkombëtare

Në këtë skenar krize, në mesin e dhunës që ka prekur edhe Kishën e Venezuelës, ka edhe rreziqe të tjera. Vendimi i fundit i qeverisë për të mbledhur Asamblenë Kushtetuese, nënvizon imzot Auza, në vend që të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve, mund ta ndërlikojë më tej situatën e të mbajë peng të ardhmen demokratike të vendit. Nga ana tjetër, prelati vlerëson mundësinë që një grup vendesh të rajonit, ose të kontinenteve të tjera, përzgjedhur si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita, të shoqërojë bisedimet me cilësinë e garantit. Fatkeqësisht, Venezuela e braktisi mbledhjen e Organizatës që në ditën e saj të parë, duke deklaruar se nuk do të njohë asnjë vendim të asamblesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.