2017-06-21 12:10:00

Kardinali Ivan Dias: Shqipëria tokë e mikpritjes, besës e burrërisë


Fjala e Nuncit të parë Apostolik  në Shqipëri, kryeipeshkvit të dikurshëm, më vonë kardinalit Ivan Dias, mbajtur në Katedralen e Shkodrës, të rindërtuar pas rënies së diktaturës komuniste, para Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës historike të Atit Shenjtë Wojtila në Shqipëri më 25 prillit 1993.....

Atë i Shenjtë, Haec dies quam faecit Dominus: exultemus et laetemur in ea! Kjo është dita e falur prej Zotit: të ngazëllohemi dhe të gëzohemi në të.

Me gëzim të madh e gjithë Shqipëria katolikë, ortodoksë dhe myslimanë Ju presin sot. Shqipëria e njohur si tokë e mikpritjes, e besës dhe e burrërisë i thotë me gjithë zemër Shenjtërisë Suaj: Mirë se vjen, kush vjen në emër të Zotit.

Është Shqipëria e ungjillëzuar nga Shën Pali, e cila njohu momente të lavdishme në historinë e saj të krishterë prej dy mijë vjetësh dhe që i dha Kombit njerëz të shquar të fesë, të shkencës dhe kulturës.

Është Shqipëria e heroit kombëtar dhe patriotit të krishterë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili i dha popullit shqiptar sensin e unitetit dhe identitetin kombëtar.

Është Shqipëria, që në kohët tona i ka dhënë botës Nënë Terezën e Kalkutës, apostulle e vërtetë e dashurisë në shërbim të përvuajtur për më të varfrin e të varfërve.

Është më së fundi Shqipëria, tokë e lagur me gjakun e martirëve dhe me djersën e shumë të burgosurve, e cila me krenari dhe me vendosmëri prej ankthit të më se 500 vjetëve sundimi otoman dhe 50 vjetëve diktature komuniste dhe që tani dëshiron të ndërtojë një botë më të mirë, më të drejtë e më humane.

Ati i Shenjtë, Shqipëria Ju pret me mirënjohje të thellë për miqësinë e kujdesshme që Ju keni treguar gjithmonë ndaj saj, si edhe për faktin që i keni qëndruar gjithmonë pranë me lutje, gjatë natës së gjatë të mundimeve dhe vështirësive të saja.

Vizita e sotme e Shenjtërisë Suaj na mbush me gëzim të madh. Le të jetë vepra atërore, që Ju kryeni sot me shugurimin e ipeshkvijve të parë shqiptarë pas këtij mundimi të gjatë, lajmëtare dhe fillim për kohë të reja për Kishën katolike dhe për gjithë popullin shqiptar.

Ati i Shenjtë, Ju falënderojmë me gjithë zemër për dashamirësinë Tuaj atërore që keni ndaj nesh. Të lutemi që me ndërmjetësinë e Zojës së Këshillit të Mirë, Zoja e Shkodrës dhe Mbrojtësja e Shqipërisë, Zoti t’Ju ruajë, t’Ju mbrojë dhe t’Ju bekojë “për shumë vjet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.