2017-06-20 14:30:00

Papa në kuvendin e dioqezës së Romës: formimi i të rinjve nis nga vatra familjare


“Një kulturë e çrrënjosur, një familje e çrrënjosur është një familje pa histori, pa kujtesë, pa rrënjë”. Kështu tha Papa Françesku mbrëmë në hapjen e punimeve të kuvendit të dioqezës së Romës. Pastaj bëri thirrje t’u jemi pranë adoleshentëve, gjatë formimit të tyre, duke kujtuar se kjo fazë e jetës është një “kohë e vështirës”, por “nuk është një patologji”, po një shpresë për të gjithë.

Kuvendi a mbledhja dioqezane e Kishës së Romës sivjet ka si temë: ”shoqërimi i prindërve, në edukimin e fëmijëve adoleshent”. E Papa Bergoglio tha se “kompleksiteti i një kryeqyteti si Roma krijon shumë vështirësi” në fushën e edukimit, por  jeta e familjeve dhe edukimi i adoleshentëve duhet marr seriozisht, jo në mënyrë sipërfaqësore”. Duke iu drejtuar familjeve Papa pohoi: “Ju i jetoni vështirësitë e këtij qyteti të madh”: puna, distanca prej njerëzve të dashur, koha gjithnjë e kufizuar, paratë që nuk mjaftojnë kurrë. Prandaj, për të thjeshtësuar, “ reflektimet, lutjen, bëjeni ‘në dialektin romak’, domethënë me fytyrat konkrete të familjarëve e duke menduar si të ndihmoni njëri-tjetrin në formimin e fëmijëve tuaj brenda një realiteti” konkret.

Qyteti i Romës rrezikon çrrënjosjen. E Papa Françesku foli për këtë dukuri “gjithnjë në rritje në një shoqëri të çrrënjosur”. “Familjet” “pak nga pak janë duke i humbur lidhjen e tyre, janë duke e humbur indin jetik kaq të rëndësishëm që na bënë të ndjehemi se i përkasim njëri-tjetrit, se jemi pjesëmarrës, së bashku me të tjerët, në një projekt të përbashkët. Kjo është eksperienca e vetëdijes se u ‘parket’ të tjerëve (në kuptimin më fisnik të fjalës). Prandaj është më rëndësi ta kemi para sysh këtë atmosferë të çrrënjosjes që vërejmë në shoqërinë bashkëkohore, sepse pak nga pak po kalon e depërton në shikimet tona e posaçërisht në jetën e fëmijëve tanë. Një kulturë e çrrënjosur, një familje e çrrënjosur është familje pa histori, pa kujtesë, pra, pa rrënjë”.

Papa bën thirrje të kundërshtohet një shoqëri e “çrrënjosur”, do të thotë pa rrënjë, pa kujtesë e pa histori. “Sot – tha ai – rrjetet sociale duken sikur ua ofrojnë të rinjve këtë hapësirë të ‘rrjetit’, të qasjes – të lidhjes me të tjerët, e kjo i bënë fëmijët tanë të ndjehen pjesë e një grupi. Por problemi që sjell, sepse është diçka virtuale, është se na le si ‘në ajër’ e prandaj shumë të ‘luhatshëm’, të ‘pa bazë’, ‘fluror’.

Thash shoqëria likuide, e mund të thyemi shoqëria  e gaztë. Nuk ka gjendje më të vështirë a sëmundje më të rëndë për një person se sa të ndjehet se nuk ka rrënjë, se nuk i përket askujt”.

Ne, theksoi Papa Françesku, “shpesh herë kërkojmë prej fëmijëve tanë një formim të tepruar në disa fusha, të cilat i konsiderojmë tejet të rëndësishme për të ardhmen e tyre. I lëmë të studiojnë një mori gjërash që të japim ‘maksimumin’. Por nuk i japim po aq rëndësi faktin që fëmijët tanë duhet ta njohin tokën e tyre, duhet t’i njohin rrënjët e tyre”.

Prandaj, për Papën, “një fëmijë që e jeton adoleshencën e vet (me të gjitha vështirësitë që sot kanë prindërit në këtë mision) brenda dashurisë e atmosferës autentike të familjes, është një fëmijë me të ardhme, me shpresë e me rrënjë. Prandaj ecni përpara duke u nisur nga kjo eksperiencë. E së fundi thirrja e Papës për të mos i mënjanuar gjyshërit në jetën e familjes e në formimin e të rinjve.








All the contents on this site are copyrighted ©.