2017-06-20 17:29:00

Kushtimi i përjetshëm i motër Denada Ndokës në dioqezën e Sapës


Një jetë kushtuar Zotit, pranë motrave rregulltare Dorotee të shenjtës Paola Frassinetti: këtë jetë zgjodhi motra rregulltare shqiptare, Denada Ndoka, me ritin e kushteve të përjetshme, në Kishën Katedrale Shën Nënë Tereza, në Vau-Dejës, në duart e bariut të ri të dioqezës së Sapës, të sapo emëruar nga Papa, imzot. Simon Kulli dhe në praninë e Eprores së Përgjithshme të Motrave Dorotee të Shën Paola Frassinetit, motër Silvia Ostre, ardhur nga Roma, . Më hollësisht të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit nga Vau-Dejës....

Familja e Motrave Dorotee të shenjtes Paola Frassinetti me gëzim të madh ka festuar këto ditë kremtimin e kushteve të përjetshme të Motër Denada Ndoka. Ishin të shumtë besimtarët e famullisë së Shën Nikollit në Vau-Dejës dhe Shën Gjon Boskos në Shelqet, familjarë, miq e të afërm të saj që u bashkuan rreth tryezës Eukaristike në Kishën Katedrale Shën Tereza e Kalkutës në Vau- Dejës, për të falenderuar Zotin për dhuratën e kushtimit të Motër Denadës, për thirrjen dhe vendosmërinë e saj për të ndjekur Krishtin përgjithmonë në jetën rregulltare, duke qenë plotësisht e gatshme të bëjë vullnetin e Atit për të qenë shenjë e pranisë së Jezusit të Ringjallur në botë.

E pranishme ishte edhe eprorja e përgjithshme e Motrave Dorote të Shën Paola Frassinetit, e ardhur nga Roma motër Silvia Ostren. Kremtimi eukaristik u udhëhoq nga Ipeshkëvi i zgjedhur i Sapës, Mons. Simon Kulli në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë. Gjatë fjalës së rastit, ipeshkvi i ri tha se jeta e kushtuar Zotit, është jetë e ecjes në gjurmët e Krishtit, është dëshmi e vetë mësimeve të Ungjillit. Kjo jetë e Kushtuar lind prej dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe e pranon Ungjillin si normë të jetës së vet. Në këtë thirrje dhe dëshirë  për të bashkëpunuar me Zotin, sipas rregullave në Kongregatën e themeluar prej Shenjtës Paola Frassineti: “për lavdinë e Tij dhe për shërbimin më të madh njerëzve” është përgjigjur edhe motra Denada. Duke iu drejtuar m. Denadës, Mons. Simoni i uroj që jeta e saj kushtuar Zotit të jetë një dëshmi e vazhdueshme duke rrezatuar dashurinë e Zotit kudo që të shkosh dhe kudo që të veprosh.

Menjëherë pas predikimit, në prani të eprores, Ipeshkëvit të zgjedhur dhe mbarë bashkësisë së pranishme, u mbajt riti i kushtimit të përjetshëm të motër Denadës, e cila me vullnet të lirë pranoi se është e gatshme të pranojë kushtet rregulltare dhe të lidhet ngushtë me të në familjen e Motrave Dorote. Nëpërmjet Kushteve që janë shenjë e dorëzimit të plotë Hyjit, dashurisë dhe bashkimit me Kishën, motër Denada pranoi kushtin e pastërtisë që  krejtësisht i takon Hyjit dhe askush nuk guxon ta ndajë prej Tij; Kushtin e varfërisë, që është të jesh krejtësisht i lirë nga pasuria; si dhe Kushtin e dëgjesës si shenjë e bindjes së plotë të jetës në Krishtin.

Motër Denada lindi më 27.11.1982 në Vau Dejës. Është fëmija i katërt i prindërve Luigj e Tone. Gjatë moshës së fëmijërisë, Denada u rrit në një familje me vlera morale dhe fetare, të trashëguara sidomos nga nëna e saj. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmen e kreu në një nga gjimnazet e qytetit të Shkodrës. Ndërsa vitet kalonin dhe Denada po rritej, me ardhjen e motrave Dorote në Vau-Dejës, u hap edhe katekizmi, ku vetë Denada ishte prezente gjithmonë dhe madje ajo kujton se kishte marrë edhe një çmim si pjesëmarrëse e rregullt në katekizëm. Pas fillimit të njohjes me motrat, ajo vendos edhe të bëhet katekiste. Duke parë edhe veprimtarinë e tyre ajo filloi të afrohej edhe më shumë me to, por vlen të theksohet se Denada kishte një paqartësi në vetvete rreth modelit të motrave të kushtuara, ku ajo vetë kishte një tjetër imagjinatë për figurën e tyre. Sepse nga mosnjohja dhe informimi i të gjitha kongregatave, modeli i një motre paraqitej gjithmonë një model i njëjtë më veshje prej murgeshe.....

 Në moshën 18 vjeçare, m. Denada hyn në kursin e rrobaqepësisë të cilën e kishin hapur motrat për gratë dhe vajzat e kësaj famullie. Ndërkohë që kursi vazhdohej, motër Denada pati edhe momente të tjera të forta rreth ndjenjës për të ndjekur rrugën e thirrjes si motër. Me ardhjen e sr. Tina Cioccolo, eprore e motrave Dorote, Denada filloi të njihej personalisht me të dhe të shprehte gjithçka që ajo kishte në lidhje me thirrjen. E pas një eksperience ditore në shtëpinë e motrave Dorote, ajo vendos të nisë jetën e saj pranë kësaj bashkësie. Hyri në kuvend në ditën e festës së Zojës, me 8 shtator të vitit 2001 si aspirante. Më pas në vitin 2004 filloi postolandatin deri në vitin 2007. Nga viti 2007 – 2009 bëri noviciatin në Itali. Pas formimit të përgjithshëm, motër Denada merr kushtet e para me datën 7 dhjetor 2009 në Romë, pranë kongregatës së motrave Dorote. Pas qëndrimit 1 vjeçar në Romë, në vitin 2010, ajo kthehet në Shqipëri dhe vazhdon misionin e saj si motër në famullinë e Vau Dejësit dhe Shelqetit. Përveç famullisë, motër Denada dha kontributin e saj edhe në formimin e grave dhe vajzave në kursin e rrobaqepësisë, të cilën e vazhdon edhe sot. Pas gjithë kësaj eksperience, motër Denada merr kushtet e përjetshme me datën 17. 06. 2017. 








All the contents on this site are copyrighted ©.