Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa takohet me Eprorin e përgjithshëm të Lazaristëve

Atë Tomas Mavric - RV

19/06/2017 16:55

Me rastin e 400-vjetorit të thirrjes së Shën Vinçenc de Paolit në shërbim të të varfërve e të fshatarëve, Papa Françesku priti atin e nderuar Tomaz Mavric, Epror i përgjithshëm i Kongregatës së Misionit, rregulltarët e së cilës njihen edhe me emrin lazaristë. Papa i inkurajoi Misionarët vinçencianë, që e kryejnë misionin e tyre në mbarë botën, siç e shpjegon atë Mavric, në mikrofonin tonë:

 Me Papën Françesku pata rastin të flas për projektin e organizimit të një simpoziumi këtu, në Romë, gjatë të cilit Papa do të takohet me familjen vinçenciane të mbarë botës. Ati i Shenjtë do të marrë pjesë në këtë takim, e ky është hir i madh për ne, sepse karizma jonë në Kishë është shumë pranë Papës Françesku, Ai flet shumë shpesh për njerëz që kanë nevojë, i kujton vazhdimisht të varfërit…

Ju keni misione në mbarë botën. Papa Françesku duhet t’ju ketë inkurajuar…

Po, tani jemi të pranishëm në 150 kombe; Papa na ftoi të jemi të fortë, të guximshëm, të shkojmë përpara, sepse karizma është e bukur.

Cilat janë sfidat, sot, për misionet lazaristë?

Sfida për mbarë familjen vincenciane është ta thellojmë karizmën tonë, ta thellojmë përshpirtërinë tonë…. Një frazë, që na shoqëron në këtë periudhë, është se duhet të jemi më shumë mistikë: mistikë të dashurisë së krishterë, të dhembshurisë së Zotit për njeriun. E ky është shembulli, që e kemi nga Vinçenc de Paoli.

A mund të na e tregoni, me dy fjalë, si e çoni Ungjillin në udhët e shtigjet e botës?

Tani, për shembull, po hapim një mision në Bolivi, në departamentin e Benit. Mision i vështirë, që ka nevojë për ungjillëzim, për ndihmë shpirtërore, materiale… zonë e vështirë, sepse njerëzit jetojnë shumë larg nga qendrat e mëdha. Për të arritur atje, duhet të lundrojmë një copë herë të mirë me barkë. Është e vetmja rrugë, që na mundëson të vizitojmë njerëzit. E ky ishte vetëm një shembull i nevojës së tmerrshme, që ka sot bota…

 

19/06/2017 16:55