2017-06-19 11:49:00

Me 19 qershor Kisha përkujton Shën Romualdin, abat.


Më 19 qershor përkujtohet shën Romualdi. U lind në një familje fisnike italiane dh u bë heremit apo oshënar pas një udhëtimi në Spanjë. Fama dhe dhuntitë, që e stolisnin, ia hapën dyert e princërve dhe të prelatëve të kohës. Ktheu në fe Oktonin III, i cili e emëroi abat, gjë që Romualdi e kundërshtoi me forcë dhe shkoi e u strehua në Montecassino. Pas shtegtimeve të shumta heremitike, u vendos në Camaldoli, ku sot gjendet një manastir me emrin e tij.

Një mëngjes shtatori të vitit 978 Venediku u zgjua në gjendje alarmi. Ishte zhdukur dozhi! Pjetro Orselo, që i printe Republikës detare që prej dy vjetësh, kishte ikur natën. Ishte nisur drejt një kuvendi të largët ndër shpatet e Pirenjeve. Shoqërohej nga një grup i vogël, në të cilin bënte pjesë edhe Romualdi, murg, bir i dukës Sergjo të Ravenës. Pse po ikte kaq me ngut dozhi? Orselo qe ulur në fronin e Dozhit të Venedikut pas vrasjes së paraardhësit, Pjetër Kandianit VI. Nuk dihet mirë në se kishte të bënte me këtë krim, por perandori Otoni II ishte betuar se do të hakmerrej. E atëherë ai vendosi të ikte, duke flijuar vetveten, për t’ia kursyer popullit të vet rreziqet, luftërat e brendshme e sulmet e jashtme. 

Si arritën në kuvendin e largët, Romualdi e ndihmoi ish-dozhin, të cilin Kisha e nderon si shenjt që nga viti 1731, deri sa vdiq si murg i thjeshtë, në vitin 987-88. Pas vdekjes së Orselos, Romualdi u kthye në Ravenë, por nuk u ndalua në kuvendin e Shën Apolinarit në Klase, që ishte kuvendi i tij i parë. Madje nuk u ndalua asgjëkundi. 

Pas një konflikti të përgjakshëm në të cilin ishte përzierë fisi i tij, u bë murg, së bashku me të atin e nisi të jetojë në vende të mënjanuara, duke bërë pendesë, duke u lutur e duke medituar. Por shpesh herë e kërkonin për të ndërmjetësuar, në raste mosmarrëveshjesh kishtare e politike, sepse njihej mirë në familjet më të mëdha të kohës. Ai e pranonte ndërmjetësinë si detyrë, por sapo nisej, nuk mendonte gjë tjetër, veçse të kthehej një orë e më parë në ishujt e vegjël të deltës padane, në shkëmbinjtë e Apenineve e në brigjet istriane, vise që i ndërronte vazhdimisht, në kërkim të vetmisë, pa e gjetur kurrë plotësisht. 

Arrinte gjithnjë dikush që kishte nevojë për Romualdin, që kërkonte Romualdin. Disa murgjër duan të ndërtojnë një murgade? Ai i ndihmon. Pastaj ndihmon ca të tjerë e pastaj ngre murgade apo kuvende murgjish në të katër anët e Italisë. Gjithnjë të vogla, të fshehura, sepse nuk mund t’i duronte kuvendet e mëdha, aq më pak murgjit që s’kishin asgjë të përbashkët me jetën murgare. 

Ndeshej vazhdimisht me ata që i përkisnin Kishës me emër, por jo me vepra, me ata që e predikonin Ungjillin, por jetonin në kundërshtim me të, me ata që flisnin për dashuri, në sa i frynin zjarrit të urrejtjes. Arriti deri atje, sa të grindej keqas me një abat, i cili e kishte blerë me para postin e lartë. E sherri u ndez aq, sa ta zinte për gryke. 

Gjithnjë kërkues ndaj vetes e ndaj të tjerëve e gjithnjë me plane të reja, siç ishte plani i parealizuar që të kryesonte ekspedita misionare në Veri të Evropës, në vitin 1012 zbuloi mrekullinë e Apenineve kazentiense, Arezzo-n, dhe ngriti aty, në lartësinë 1098 metra, një eremitazh të vogël. Treqind metra më poshtë ndërtoi një kuvend. 

Lindi kështu Kamaldoli, qendër urate e kulture edhe në shekullin XXI. Ndërtoi, krijoi grupe të reja njerëzish që bashkëjetonin në paqe, mësoi, më shumë me biseda se me predikime. U nis e arriti vazhdimisht për diku, prej dikah. Ngriti një kuvend të ri në Val di Kastro, ku edhe vdiq si vetmitar i thjeshtë, në një qelë të vogël, mbi një tog me kashtë. Por shtegtari i madh nuk do të ndalej as këtu. Do ‘të udhëtonte’ akoma. Dy murgjër të Shën Apolinarit në Klase, i mbartën fshehurazi reliket e tij e i çuan në Jesi. Por një vit më pas Shenjti do të niste një rrugë të re, drejt Kishës kamaldoleze të Shën Vlashit e Fabianit, ku pushon në paqe. Kisha e nderon si shenjt që nga viti 1595, me vendim të papës Klementi VIII.








All the contents on this site are copyrighted ©.