2017-06-19 14:43:00

Kard. Nichols për sulmin e Londrës: “të gjithë duhet të krijojmë mirëkuptim e paqe”


“Dhuna shkakton dhunë. Urrejtja nxit urrejtje. Secili prej nesh duhet ta hedhë poshtë urrejtjen dhe dhunën me fjalë e vepra”. Kjo ftesë për përgjegjësi e për bashkëjetesën paqësore ndërmjet bashkësive me fe e kultura të ndryshme, në këtë çast delikat për Mbretërinë e Bashkuar, vjen nga kryeipeshkvi katolik i Uestminsterit, kardinali Vincent Nichols, pak orë pas sulmit të natës së djeshme.

Kreu i ipeshkvijve anglezë dënon ashpër sulmin kundër xhamisë në Finsbury Park dhe siguron mbështetjen e lutjet e bashkësisë katolike të vendit. Ai i ka dërguar një mesazh sekretarit të përgjithshëm të xhamisë, duke vënë në dukje se e njeh mirë punën e përbashkët të xhamisë dhe të famullisë katolike aty pranë për të përmirësuar marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet të gjithë banorëve të zonës.

“Të gjithë – bën thirrje kardinali – duhet të jemi mbartës të mirëkuptimit, të dhembshurisë dhe të paqes. Kjo duhet bërë përditë, në shtëpi, në punë e në bashkësi. Është rruga e vetme”. Kardinali Nichols i shkruan edhe kreut të Shtëpisë Myslimane të Asistencës, duke i shprehur afërsinë e tij dhe të Kishës Katolike. 








All the contents on this site are copyrighted ©.