2017-06-19 13:22:00

Françesku: Rruzarja sjell paqe në Kishë e në botë


Rruzarja, mjet i fuqishëm, që sjell paqen në zemrat tona, në Kishë e në botë. Është pohimi i Papës Françesku në një videomesazh dërguar imzot Mario Grech, ipeshkëv i dioqezës malteze të Gozo, me rastin e përurimit të mozaikëve në Shenjtëroren e Zojës së Ta’Pinu, realizuar nga Qendra Aletti. Janë tri figura, që paraqesin Zojën me Krishtin Fëmijë, Shën Gjon Pagëzuesin e Shën Palin. Kompozim, që ta kënaq syrin, duke ngritur në art, bukurinë e lutjes së thjeshtë kundruese. Të duket sikur i fton të gjithë,  të mëdhenj e të vegjël, të bashkohen në uratën, që ta qetëson shpirtin. Duke e soditur këtë vepër të re arti, të lind menjëherë dëshira ta thuash Rruzaren Shenjte. Edhe unë - kujton gjithnjë Papa - e them shumë shpesh Rruzaren para një mozaiku: në këtë mozaik të vogël, të duket sikur Zoja është në qendër, ndërsa Ajo, duke shtrirë duart, bëhet një lloj shkalle, përmes së cilës Jezusi mund të zbresë drejt nesh. Qendra është gjithnjë Jezusi,  i cili ulet, për të ecur së bashku me ne, njerëzit, që pastaj edhe ne të mund të ngjitemi, me Të, në qiell.

Kur themi Rruzaren - kujton Françesku në videomesazhin e tij - ne i lutemi Zojës së Bekuar që të na çojë përherë më pranë Birit të saj Jezus, për ta njohur e për ta dashur gjithnjë më shumë. Kur lutemi - vijon Papa - ne e  çojmë gjithçka para fronit të Zotit: mundimet, plagët, druajtjet, por edhe gëzimet e, sidomos, njerëzit që i duam e që nuk i duam… i çojmë të gjithë, e çojmë gjithçka. Gjithçka, para Zotit. Duke iu lutur, ne i krijojmë Zotit mundësinë të hyjë në kohën tonë, ta mirëpresë e ta shndërrojë gjithçka jetojmë. “Thuaje sa më shpesh Rruzaren, këtë mjet të fuqishëm, që sjell paqe në zemra, në familje, në Kishë e në botë!”- të fton Papa para mozaikut të ri, që i shtohet mijëra veprave të artit kushtuar Zojës në  të pesë kontinentet!  








All the contents on this site are copyrighted ©.