Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa: pranë Portugalisë së përfshirë nga zjarret. Të paktën 57, viktimat

Zjarret në pyjet e Portugalisë qendrore - EPA

18/06/2017 18:13

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i shprehu afërsinë e tij popullit portugez, të shqetësuar nga rënia e një zjarri të frikshëm, që përfshiu zonat pyjore rreth qytezës Pedrograo Grande, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 57 vetëve:

“I shpreh afërsinë time popullit të dashur portugez për zjarrin shkatrrimtar, që po përhapet në pyjet përreth Pedrograo Grande, duke shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e shumë njerëzve. Të lutemi në heshtje”.

Këto, fjalët e Papës Françesku sot paradite, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pas lajmeve dramatike ardhur nga Portugalia, dëmtuar rëndë nga ajo që kryeministri Costa e quajti “tragjedia më e madhe në viktima, gjatë një aksidenti të këtij tipi, parë kohët e fundit”. Një zjarr i madh, që u përhap me shpejtësi rrufeje, shpërtheu natën e së shtunës në zonat e stolisura me pyje të gjelbëra rreth vendbanimit Pedrograo Grande, në qendër të vendit, 150 kilometra larg nga Lisbona. Bilanci i viktimave, që përditësohet vazhdimisht, gjithnjë në rritje: 57, të vdekurit, sipas të dhënave të deritanishme, shumica, njerëz të përfshirë nga flakët në autot e tyre. Vdiqën të karbonizuara, familje të tëra, ndërsa kalonin në zonë apo përpiqeshin të shpëtonin nga zjarri. Të tronditur thellë edhe njerëzit, që vijojnë të japin ndihmesën e tyre, të cilët flasin për “skena të tmerrshme”. I pashpjegueshëm, sipas autoriteteve, shkaku i këtij zjarri tragjik. Ministri i brendshëm, Gomes, dyshon se autore e kësaj fatkeqësie ka qenë era që, nga një flakëz e vogël, bëri një flakadan vigan, të pakontrollueshëm. Gjithsesi deri tani policia e përjashton mundësinë e një zjarri të vënë me dashje, duke shprehur mendimin se ka shumë mundësi që zjarri të jetë shkaktuar nga rrufetë, pas ditëve me temperatura tejet të larta.  Në disa nga vatrat, lartohen akoma flakë e, shumë njerëz, janë detyruar të largohen nga shtëpitë.

18/06/2017 18:13