2017-06-18 13:00:00

Papa Françesku kremton solemintetin e Korpit të Krishtit


Kisha katolike Universale kremtoi sot Solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit. E Papa Françesku, pasi tha Lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditë, kryeson, në orën 19.00, Meshën Shenjte, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran në Romë. Pas Eukaristisë, Papa Bergoglio udhëheq Procesionin tradicional Eukaristik me besimtarët, në rrugën romake Merulana, nga Bazilika e Lateranit deri te Bazilika e Zojës së Madhe.

E vetë kremtimi i sotëm është, pikësëpari, risi historike. Papa vendosi ta zhvendosë atë nga data 15, pra të enjten, kur i bie dita sipas kalendarit liturgjik, në datën 18, pra sot, të dielën, siç veprojnë shumë vende të botës, për t’u lejuar të krishterëve të marrin pjesë me shumicë në festë. Është hera e parë që ndodh. Papa e mori këtë vendim edhe për të shkaktuar sa më pak shqetësime në rrugët e qytetit të Romës, zakonisht, me trafik të dendur.

Sot, në festën e Korpit e të Gjakut të Krishtit, falenderojmë Zotin tonë Jezu Krisht për këtë dhuratë të mrekullueshme. Rizbulojmë pasurinë e kremtimit eukaristik e të ushqyer nga Fjala e nga Buka e Jetës, bëhemi Kishë “në dalje”, siç kërkon vazhdimisht Papa Françesku, Kishë që u kumton të gjithëve shëlbimin. Brez të tërë të krishterësh kanë qenë gjithnjë të gatshëm të gjunjëzohen para një shenje të vetme, me thjeshtësi çarmatosëse: para bukës Hyjnore të thyer e të ndarë e jo para perëndive të çastit, që u imponon bota. Shenjtorë të njohur e të panjohur janë në krye të këtyre brezave, që kanë marrë e marrin përditë nga ajo shenjë, dije, guxim, frymëzim, besnikëri.

“Të adhurosh Zotin e Jezu Krishtit, i cili u bë bukë e thyer për dashuri, - pati thënë Papa Benedikti XVI, në vitin 2008 - është ilaçi më i vlefshëm e më radikal kundër idhujtarive të djeshme e të sotme. Të gjunjëzohesh para Eukaristisë është shpallje e lirisë: kush përkulet para Jezusit nuk mund e nuk duhet të përkulet para asnjë pushteti tokësor, sado i fortë që të jetë. Ne të krishterët gjunjëzohemi vetëm para të Shenjtnueshmit Sakrament të Eukaristisë, sepse e dimë se në të është i pranishëm i vetmi Zot i vërtetë, që ka krijuar botën dhe e ka dashur aq shumë, sa të japë Birin e tij të vetëm”.

Një dashuri krejtësisht pa interes, që mund të preket çdo ditë e që ndahet në miliona pjesë për të arritur tek të gjithë. Kjo është risia e paarritshme e Zotit Eukaristi në krahasim me idhujt njerëzorë, që pretendojnë adhurimin e atyre, që besojnë në ta, duke harruar t’u bëjnë mirë. Në të kundërt, na kujton Kisha: “Zoti na ka krijuar të lirë, por nuk na ka lënë vetëm”. Për hir të dashurisë për njeriun, i kërkoi Birit të bëhej dritë, udhë, ushqim.

“Si mana për popullin e Izraelit, për çdo brez të krishterë, Eukaristia është ushqim i domosdoshëm, që e mbështet, ndërsa përshkon shkretëtirën e kësaj bote, të tharë nga sistemet ideologjike dhe ekonomike që nuk promovojnë jetën, por e lëndojnë; një botë, ku mbizotëron logjika e pushtetit dhe e pasurisë, në vend të asaj të shërbimit e të dashurisë; një botë, ku jo rrallë triumfon kultura e dhunës dhe e vdekjes” ( Benedikti XVI 2007).

Sot, Korpi i Krishtit (Corpus Domini), del nga tabernakulli dhe kalon në procesion në mes të shtëpive, në mesin e njerëzve. Ky Korp, frymëzoftë fe e mahnitje për shpëtimin e jetën, që i dhuron botës dhe e ndihmoftë njerëzimin në udhët e historisë, duke i dhënë bukë për trupin e për shpirtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.