Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa: Eukaristia, kujtesë e gjallë e dashurisë së Zotit e sakrament uniteti

Kremtimi i Corpus Domini - L'Osservatore Romano

18/06/2017 17:16

Papa Françesku kryesoi sonte ritet e Corpus Domini, sipas kalendarit liturgjik të Kishës italiane. Në orën 19.00 kremtoi Meshën Shenjte në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. 

Më poshtë, teksti i plotë i homelisë:

“Në solemnitetin e Corpus Domini përsëritet shumë herë tema e kujtesës: ‘Të të bjerë në mend për shtegtimin, që Zoti, Hyji yt, të bëri ta përshkosh nëpër shkretëtirë […]. Mos e harro Zotin […] që, në shkretëtirë, të ushqeu me mannë’ (krh Lp 8,2.14.16) - i tha Moisiu popullit. ‘Bëjeni këtë në përkujtimin tim!’(1 Kor 11,24) - do të na thoshte Jezusi neve. “Buka e gjallë, e zbritur nga qielli”(Gjn 6,51) është sakramenti i kujtesës, që na sjell në mendje në mënyrë reale e të prekshme, historinë e dashurisë së Zoti për ne.

Kujtoju, i thotë sot Fjala hyjnore secilit prej nesh. Nga kujtimi i gjesteve të Zotit mori forcë shtegtimi i popullit në shkretëtirë; mbi kujtimin e asaj, që bëri Zoti për ne, bazohet historia jonë personale e shëlbimit. Të kujtosh është themelore për fenë, si uji për bimën: ashtu si nuk mund të rritet e të japë fryt bima pa ujë, kështu edhe feja, që nuk e shuan etjen në kujtimin e asaj, që bëri Zoti për ne.

Kujtoju! Kujtesa është e rëndësishme, sepse na ndihmon të mbetemi në dashuri, të ri-kujtojmë, domethënë ta ruajmë në zemër, të mos e harrojmë atë që na do e që jemi të thirrur ta duam. E pra, kjo aftësi  e pashoqe, që na dha Zoti, sot, për fat të keq, është zbehur. Në furinë e papërmbajtur, në të cilën jemi zhytur, shumë njerëz e shumë fakte duket sikur na kalojnë pa lënë asnjë gjurmë. Kthehet ngutshëm fleta, e pangopur me risi, por e varfër në kujtime. Kështu, duke i djegur kujtimet e duke jetuar vetëm çastin, krijohet rreziku i mbetjes në sipërfaqe, i rrëmbimit nga rryma e ngjarjeve, që i zënë vendin njëra-tjetrës, pa hyrë në thellësi, pa ia bërë vetes pyetjen kush jemi e ku shkojmë. Atëherë jeta e jashtme copëtohet, e brendshmja, plogështohet.

Por solemniteti i sotëm na kujton se në copëzimin e jetës, Zoti vjen të na takojë me një brishtësi të admirueshme, që është Eukaristia. Në Bukën e jetës Zoti vjen të na vizitojë, duke u bërë ushqim i përvuajtur, që me dashuri e shëron kujtesën tonë, të sëmurë nga ethet e të jetuarit. Sepse Eukaristia është kujtim i dashurisë së Zotit. Në të “kujtohen mundimet e tij” (Solemniteti i të Shenjtnueshmit Korpit e Gjakut të Krishtit, Antifona e “Magnificat”, e Mbrëmësores), dashuria e Zotit për ne, që është forca jonë, mbështetja në rrugën tonë. Ja pra, pse na bën shumë mirë kujtesa eukaristike: nuk është kujtesë abstrakte, e akullt, ose nocionistike, por kujtesë e gjallë e ngushëlluese e dashurisë së Zotit. Në Eukaristi ndjehet e gjithë ëndja e fjalëve dhe e gjesteve të Jezusit, shija e Pashkëve të Tij,  aroma e shpirtit të Tij. Duke e marrë, vuloset në zemrën tonë siguria se Ai na do. E ndërsa e them këtë, mendoj posaçërisht për juve, djem e vajza, që para pak kohe morët Kungimin e Parë  e jeni këtu të shumënumërt.

Kështu Eukaristia formon në ne një kujtesë mirënjohëse, ngaqë e ndjejmë se jemi bij të dashur, që Ati i ushqei; një kujtesë të lirë, sepse dashuria e Jezusit, ndjesa e Tij, i shëron plagët e së kaluarës dhe e paqëson kujtimin e padrejtësive, që i pësuam a i shkaktuam; një kujtesë durimtare, sepse në fatkeqësitë e jetës, e dimë se Shpirti Shenjt mbetet në ne. Eukaristia na inkurajon: edhe në udhën më të thepisur, nuk jemi vetëm, Zoti nuk na harron e, sa herë shkojmë tek Ai, na këndell me dashurinë e Tij.

Eukaristia na kujton edhe se nuk jemi individë, por trup. Ashtu si populli në shkretëtirë mblidhte mannën e rënë nga qielli dhe e ndante bashkërisht në familje (krh Es 16), kështu edhe Jezusi, Bukë e qiellit, na mbledh  për ta marrë së bashku e për ta ndarë ndërmjet nesh. Eukaristia nuk është sakrament ‘për mua’, është sakrament ‘për shumë’, që formojnë një trup të vetëm. Na e kujton Shën Pali: ‘Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: sepse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke’ (1 Kor 10,17). Eukaristia është sakramenti i unitetit. Kush e pranon, nuk mund të jetë tjetër, veçse krijues i unitetit, sepse në të, në “ADN-në e tij shpirtërore” lind ndërtimi i unitetit. Kjo bukë e unitetit na shëron nga ambicia për të dalë përmbi të tjerët, nga babëzia e fitimit vetëm për vete, nga nxitja e mosmarrëveshjeve dhe përhapja e kritikave: ngjall gëzimin, që buron nga dashuria pa rivalitete, pa zilira e pa thashetheme shpërralluese.

E tani, duke e jetuar Eukaristinë, ta adhurojmë e ta falënderojmë Zotin për dhuratën më të madhe: kujtesë e gjallë e dashurisë së Tij, që formon nga ne një korp të vetëm e na prin drejt unitetit”.

18/06/2017 17:16