2017-06-17 15:24:00

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e ish-Kancelarit Federal gjerman Helmut Kohl


Papa shpreh ngushëllimet për vdekjen e ish-Kancelarit Federal gjerman, Helmut Kohl, që ndërroi jetë dje, pas një sëmundjeje të gjatë e të rëndë. Në një telegram, drejtuar doktoreshës Angela Merkel, pohon se është shumë i prekur nga kjo humbje dhe se i dërgon ngushëllimet më të ndjera familjarëve, Kancelares Federale të Republikës Federale të Gjermanisë dhe mbarë popullit gjerman, që qan për vdekjen e “Kancelarit të Unitetit”. Ati i Shenjtë kujton se Kohl, si burrë i madh shteti e evropian i bindur, punoi me largpamësi e përkushtim për të mirën e njerëzve në Gjermani e në vendet fqinje evropiane.

“Zoti i mëshirshëm – përfundon - e shpërbleftë për punën e tij të palodhur në favor të unitetit të Gjermanisë e të bashkimit të Evropës, ashtu si dhe për impenjimin në favor të paqes e të pajtimit. Zoti i dhashtë gëzimin e amshuar dhe jetën në atdheun qiellor - vijon Papa në mesazhin e ngushëllimit - duke pohuar se lutet me gjithë zemër që Zoti t’u japë familjarëve dhe gjithë atyre, që janë në zi, ngushëllimin dhe bekimin e Tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.